Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse në zonën e Semanit, fshati Grykë, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “Albanian General Eletricity”, sh.a., me elementët, si më poshtë vijon:

Sipas VKM-së kapaciteti i instaluar do të jetë 3 MW.

Numri i njësive gjeneruese të burimit gjenerues të energjisë dhe kapaciteti i tyre në MW do të jetë 1 (një) turbinë me kapacitet 3 MW.

Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 24 muajve nga marrja e lejes së ndërtimit.

Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë do të jetë zona e Semanit, fshati Grykë, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier.

Afati i miratimit të ndërtimit do të jetë 48 (dyzet e tetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3- (tre) mujore, gjatë realizimit e vënies në punë, me synim që të verifikojë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e të dokumentacionit të projektit.

Shoqëria “Albanian General Eletricity”, sh.a., ka detyrimin që të paraqesë periodikisht, çdo 3 muaj, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik.

Të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat e autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare.

Të ketë detyrimin e dorëzimit të sigurimit të kontratës, në masën jo më pak se 5 (pesë) % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “Albanian General Eletricity”, sh.a., dhe ministrisë.

Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj.

T’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

Në rast konvertimi në vlerë monetare, “Albanian General Eletricity”, sh.a., duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit;

Të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi. /