ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Në VKM theksohet se misioni i AKU-së është të garantojë sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve e ushqimeve për kafshë në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet kryerjes së veprimtarive inspektuese, teknike dhe shkencore në këtë fushë.

AKU-ja e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit dhe ka fushë përgjegjësie sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë në të gjithë zinxhirin e saj, sigurinë e shëndetit të kafshëve në pikat kufitare dhe shëndetit të bimëve e të produkteve bimore kur ato kanë dalë në treg.

AKU-ja ka përgjegjësi të ofrojë mendim shkencor për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, vlerat ushqimore të ushqimit dhe të përgatisë standardet në këtë fushë; të organizojë punën për kryerjen e veprimtarisë inspektuese në përputhje me fushat e saj të përgjegjësisë; të organizojë punën për analizimin, vlerësimin dhe komunikimin e riskut për ushqimin dhe ushqimin për kafshë; të organizojë punën për trajnimin e certifikimin e inspektorëve të kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe input-eve bujqësore.

AKU-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme; nivel rajonal, nëpërmjet drejtorive rajonale në qarqe.

Struktura dhe organika e AKU-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

AKU-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet te ministri dhe përfaqëson AKU-në në marrëdhënie me të tretët.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së emërohet dhe lirohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

Të jetë shtetas shqiptar;
Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë, në ekonomi, drejtësi ose shkenca teknike që lidhen me fushat ku gjen zbatim legjislacioni i ushqimit;
Të ketë përvojë pune, të paktën, 5 (pesë) vjet në profesion apo në fusha ku gjen zbatim legjislacioni i ushqimit;
Të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale;
Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Drejtori i Përgjithshëm lirohet ose shkarkohet nga detyra kur plotësohet mosha për pensionin e plotë të pleqërisë;
dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
jep dorëheqjen nga detyra;
kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës.

Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së funksionojnë bordi i AKU-së, i cili mbikëqyr veprimtarinë e AKU-së dhe organizohet e funksionon në bazë të ligjit përkatës për ushqimin dhe të kreut IV, të këtij vendimi; komiteti shkencor dhe panelet shkencore, të cilat kanë përgjegjësitë, përbërjen dhe të drejtat, si dhe kryejnë detyrat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme për ushtrimin e kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ushqimin dhe përveç sa është parashikuar në të kryen detyrat e mëposhtme:

Koordinon planifikimin dhe kryerjen e kontrollit zyrtar të ushqimeve, ushqimeve për kafshë, input-eve bujqësore, veprimtarive prodhuese të duhan-cigareve, si dhe për kontrollin në pikën e inspektimit kufitar të shëndetit të kafshëve, produkteve mjekësore veterinare dhe mbrojtjen e bimëve; Unifikon praktikat e kontrollit zyrtar të ushqimeve, ushqimeve për kafshë, input-eve bujqësore, veprimtarive prodhuese të duhan-cigareve, si dhe për kontrollin në pikën e inspektimit kufitar të shëndetit të kafshëve, produkteve mjekësore veterinare dhe produktet e mbrojtjes së bimëve; Drejton dhe bashkërendon veprimtarinë e laboratorëve të autorizuar të sistemit të kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë; Siguron kryerjen e analizave nga laboratorë të tjerë të akredituar, brenda ose jashtë vendit, në rastin e pamundësisë së kryerjes së tyre nga laboratorët e autorizuar të kontrollit zyrtar; Drejton procesin e vlerësimit të riskut në fushën e sigurisë së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë; Kryen studime shkencore të nevojshme dhe përgatit mendimin shkencor paraprak për nxjerrjen në treg të OMGJ-ve dhe/ose ushqimeve të reja; Siguron mbështetje teknike e administrative për të siguruar veprimtarinë e komitetit shkencor dhe të paneleve shkencore; Përgatit raportin vjetor për veprimtarinë e AKU-së; Përgatit planin e punës dhe buxhetin afatshkurtër e afatmesëm të AKU-së; Administron dhe menaxhon për Drejtorinë e Përgjithshme dhe drejtoritë rajonale burimet pasurore, njerëzore, çështjet ligjore, automatizimin e proceseve të brendshme operative; Mbikëqyr buxhetin, administrimin financiar, mbajtjen e kontabilitetit dhe kryerjen e auditimit të brendshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, përveç sa është parashikuar në ligjin përkatës për ushqimin, kryen detyrat e mëposhtme:

Raporton te ministri dhe bordi i AKU-së, në mënyrë shkresore, për veprimtarinë e institucionit, jo më pak se një herë në çdo 3 muaj për çështje të aktivitetit të përgjithshëm të AKU-së dhe sa herë i kërkohet nga ministri për çështje specifike; I paraqet bordit të AKU-së për vlerësim objektivat strategjikë, planin kombëtar të kontrolleve zyrtare në bazë risku dhe marrjen e mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjen e bimëve dhe input-eve bujqësore; Përcakton objektivat vjetorë të AKU-së, në përputhje me objektivat strategjikë të miratuar nga ministri dhe harton planin vjetor të punës së institucionit;
Drejton procesin e planifikimit buxhetor dhe të raportit vjetor të punës, të cilat ia paraqet për vlerësim bordit të AKU-së; Përgatit dhe përcjell për miratim pranë ministrit rregulloren që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit; Përgatit kërkesat e veçanta të vendit të punës për rekrutimin e nëpunësve/punonjësve të AKU-së; Autorizon shpërndarjen e informacionit për publikun; Përcakton nëpunësit që janë pjesë e sekretariatit teknik për komisionin e gjobave pranë ministrisë përgjegjëse për ushqimin;
Nxjerr akte të brendshme për menaxhimin administrativ, financiar, të burimeve njerëzore dhe akte të tjera të brendshme të detyrueshme për nëpunësit e AKU-së, për realizimin e funksioneve të këtij institucioni; Nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet e tjera publike shqiptare apo të huaja, në përputhje me parashikimet ligjore;
Kërkon thirrjen e mbledhjeve të bordit dhe merr pjesë në to; Autorizon, me shkrim, delegimin e pjesshëm apo të plotë të kompetencave, në rast të mungesës së tij;
Gjatë kontrollit në pikat doganore, para daljes së vendimit përfundimtar të inspektorit ose të grupit të kontrollit, miraton kërkesën e argumentuar të operatorëve për rikontroll, në laboratorë të akredituar në vendet e Bashkimit Evropian; Emëron nëpunësit dhe personelin e nevojshëm, në përputhje me Kodin e Punës; Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi dhe ministri.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së funksionon Komisioni i Shqyrtimit të Masave Administrative, i përbërë nga 5 (pesë) anëtarë, i cili ka këtë përbërje:

Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, kryetar i komisionit;
Një përfaqësues i njësisë që mbulon çështjet juridike, sekretar i komisionit;
Një përfaqësues i njësisë përkatëse që mbulon çështjen e inspektimit që ankimohet;
Dy specialistë nga njësitë e tjera të Drejtorisë së Përgjithshme.

Lista emërore e komisionit miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm.

Komisioni i Shqyrtimit të Masave Administrative ka kompetenca të përgjithshme dhe shqyrton të gjitha ankimet administrative, me përjashtim të ankimeve administrative ndaj vendimeve që kanë gjoba/sanksione financiare mbi 300 000 (treqind mijë) lekë, të cilat shqyrtohen nga Komisioni i Shqyrtimit të Masave Administrative, në ministrinë përgjegjëse për ushqimin.

Drejtoritë rajonale drejtohen nga kryeinspektori rajonal dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut që mbulojnë. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, punonjës të drejtorisë rajonale, për një periudhë kohe të caktuar në urdhër dhe sipas detyrave të përcaktuara mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një qarku tjetër, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale përkatëse që mbulon territorin e atij qarku. Ushtrimi i detyrave në territorin e një qarku tjetër bëhet për shkak të numrit të pamjaftueshëm të punonjësve të kësaj drejtorie ose njohurive specifike të punonjësve që do të ushtrojnë veprimtarinë.

Drejtoritë rajonale kanë detyrat e mëposhtme kryejnë kontrollin zyrtar të ushqimeve, të ushqimeve për kafshë, të input-eve bujqësore, të veprimtarive prodhuese të duhan-cigareve dhe kontrollin zyrtar në pikën e inspektimit kufitar të shëndetit të kafshëve, produkteve mjekësore veterinare dhe produktet e mbrojtjes së bimëve;

Kryejnë kontrollet paraprake për përmbushjen e kërkesave tekniko-teknologjike, higjieno-sanitare, fitosanitare dhe veterinare, verifikimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin dhe licencimin e operatorëve të biznesit të ushqimit, ushqimit për kafshë dhe produktet e mbrojtjes së bimëve dhe input-eve bujqësore; Mbledhin dhe organizojnë informacion bazë, cilësor dhe sasior, në fushën e sigurisë së ushqimeve, të ushqimeve për kafshë, të mbrojtjes së bimëve dhe të input-eve bujqësore, të shëndetit të kafshëve, të produkteve mjekësore veterinare dhe e përcjellin në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së, sipas kërkesave të saj; Ndalojnë, përkohësisht ose në mënyrë të përhershme, veprimtarinë e operatorëve të biznesit të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë në fazat e prodhimit, të përpunimit, të shpërndarjes dhe të tregtimit të ushqimit apo të ushqimit për kafshë, kur vërtetohet se ushqimi apo ushqimi për kafshë dhe operatorët përkatës të biznesit nuk plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;

Përgatisin raportin vjetor për veprimtarinë e drejtorisë rajonale përkatëse, sipas formatit dhe udhëzimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së.

Kryeinspektori rajonal përgjigjet te drejtori i Përgjithshëm i AKU-së dhe është përgjegjës për cilësinë, integritetin dhe efektivitetin e veprimtarisë inspektuese të drejtorisë rajonale dhe të stafit të saj, si dhe e përfaqëson atë me të tretët, në nivelin e qarkut përkatës. Kryeinspektori rajonal ka këto detyra:

Organizon veprimtarinë e drejtorisë rajonale;
Lëshon autorizimin e inspektimit, në përputhje dhe në bazë të programit të miratuar të inspektimit apo të akteve/urdhrave të nxjerrë nga drejtori i Përgjithshëm;
Vendos për shtyrjen e kohëzgjatjes së autorizimit të inspektimit në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin;
Vendos për zëvendësimin e inspektorëve gjatë inspektimit, sipas ligjit;
Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi dhe drejtori i Përgjithshëm.

Pikat e inspektimit kufitar janë në varësi të drejtorive rajonale përkatëse të AKU-së dhe kryejnë kontrollin e ngarkesave të ushqimit, të ushqimit për kafshë, të mbrojtjes së bimëve dhe të input-eve bujqësore, të shëndetit të kafshëve, produkteve mjekësore veterinare, duhanit dhe produktet e tij, të cilat hyjnë, dalin ose tranzitojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Laboratorët rajonalë janë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së dhe mbështesin veprimtarinë e drejtorive rajonale. Në laboratorët rajonalë kryhet analizimi laboratorik për kontrollin zyrtar të ushqimit, të ushqimit për kafshë.

Marrëdhëniet e punës së nëpunësve dhe punonjësve administrativë të AKU-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

Ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm, miraton rregulloren që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit.

Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e Drejtorisë së Përgjithshme përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria … (emri i ministrisë përgjegjëse për ushqimin), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme”.

Drejtoritë Rajonale të AKU-së kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e secilës drejtori rajonale përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria … (emri i ministrisë përgjegjëse për ushqimin), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (emri i qarkut/qytetit ku ka selinë drejtoria)”.

Vula e Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së dhe vula e secilës drejtori rajonale ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Anëtar i bordit emërohet shtetasi shqiptar, që plotëson kriteret e mëposhtme:

Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë, në ekonomi, drejtësi ose shkenca teknike që lidhen me fushat ku gjen zbatim legjislacioni i ushqimit;
Të ketë përvojë pune të paktën 5 (pesë) vjet në administratën shtetërore, për anëtarët e bordit të emëruar si përfaqësues të ministrive të linjës;
Të jetë personalitet i shquar i fushës ku vepron, për anëtarët e bordit të emëruar si person publik në fushën e medias, përfaqësues të shoqatës së konsumatorëve dhe përfaqësues të shoqatës së agrobiznesit;
Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
Të mos jetë në konflikt interesi me detyrat, funksionet apo veprimtarinë e tij shtetërore apo private.

Anëtarët e bordit përfaqësues të ministrive, përveç sa është përcaktuar në pikën 1, të këtij kreu, duhet të jenë nëpunës të njësive organizative që lidhen me fushën e veprimtarisë së AKU-së në ministrinë përkatëse dhe i propozohen ministrit përgjegjës për ushqimin nga ministri përkatës.

Bordi, në funksion të përmbushjes së përgjegjësive të tij të përcaktuara në ligjin përkatës për ushqimin, kryen detyrat e mëposhtme:

Shqyrton dhe jep vlerësimin e tij për objektivat strategjikë, projektbuxhetin dhe planin kombëtar të kontrolleve zyrtare në bazë risku dhe atë të marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe input-eve bujqësore, përpara dërgimit të tyre për miratim sipas legjislacionit në fuqi në ministrinë përgjegjëse për ushqimin;
Shqyrton dhe jep vlerësimin e tij për raportin vjetor të veprimtarisë së AKU-së;
Shqyrton dhe jep vlerësimin e tij për projektplanin e menaxhimit të krizave të propozuara nga AKU-ja;
Nëpërmjet anëtarëve të tij, ndihmon në bashkërendimin e punës me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, të përfaqësuara në bord.

Anëtarët e bordit caktohen nga ministri, në bazë të kandidaturave të paraqitura nga organet e emërtesës, nga sektorë që lidhen me fushën e veprimtarisë së AKU-së.

Anëtarët e bordit shkarkohen nga kjo detyrë nga organi i emërtesës dhe mandati i tyre përfundon në rastet kur:

anëtari i bordit, përfaqësues i një ministrie linje, nuk është më në marrëdhënie pune me këtë ministri;
anëtari i bordit, i zgjedhur nga radhët e profesorëve të fushave të ushqimit, ushqimit për kafshë, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve nga universitetet, nuk është më në marrëdhënie pune me universitetin përkatës;
detyra si anëtar i bordit është në konflikt interesi me detyrën, veprimtarinë apo funksionin që ky anëtar ka në sektorin shtetëror apo privat;
anëtari i bordit nuk merr pjesë në mënyrë të përsëritur dhe pa shkak të ligjshëm në mbledhjet e bordit;
dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Mandati i anëtarit, i caktuar si i tillë në cilësinë e kryetarit të shoqatës së kryetarëve të bashkive, përfundon para kohe, vetëm në rast zëvendësimi të kryetarit të shoqatës së bashkive. Në këtë rast anëtar bëhet automatikisht kryetari i ri.

Përveç sa parashikohet më sipër, ministri ndërpret mandatin e anëtarëve të bordit, nëse këta të fundit nuk marrin pjesë në asnjë nga mbledhjet e bordit për një periudhë vijuese 6-mujore dhe njofton organin propozues të paraqesë kandidaturat për anëtarin e ri, sipas procedurave të sipërpërmendura, i cili rri në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit që zëvendëson.

Bordi mblidhet të paktën një herë në tre muaj dhe në raste të veçanta, me kërkesë të argumentuar të drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së, në rastet kur duhen shqyrtuar çështje të karakterit urgjent që lidhen me emergjencat civile, raste pandemie, epidemie dhe ndryshime të rëndësishme buxhetore.

Bordi organizohet dhe funksionon në bazë të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale të administratës publike.

Kryetari dhe anëtarët e bordit përfitojnë shpërblim, sipas përcaktimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, për masën e shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.

Të gjithë nëpunësit/punonjësit në marrëdhënie pune, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, vazhdojnë marrëdhëniet e punës të rregulluara sipas ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Vendimi nr.1081, datë 21.10.2009, i Këshillit të Ministrave “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, të ndryshuar, shfuqizohet.

Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /a.a//r.e/