/ATSH/-Aktori i njohur, Fuat Boçi është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Rrugën e artit Boçi e nisi që në moshë të re dhe është një nga themeluesit e Estradës së Fierit më 1957.
Ai ka lindur në Voshtinë në vitin 1931, por në vitin 1938 familja e tij do të shpërngulej në Fier, qytet në të cilin Boçi do të niste rrugën e artit që në moshë të re.
Nga një artist amator, Boçi do të shënonte sukseset në karrierën e tij në skenë në teatrin “Bylis” të Fierit.
Pjesëmarrës në rreth 160 premiera dhe duke u ngjitur në skenë me mbi 600 role, aktori Boçi është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit.
Ndër rolet e tij më të spikatura dhe që kanë mbetur edhe në mendjen e artëdashësve shqiptarë janë Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina dhe Llazi.
Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e “Zenelit” te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, dajos te komedia “Shi në plazh”, Sotiri te komedia “Një budalla e gjysmë” etj.
Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.