Gati 22 mijë persona janë punësuar gjatë 11 muajve të parë të vitit 2020 falë ndërmjetësimit nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA).

Përgjegjëse e sektorit të Statistikave pranë AKPA, Aida Kureta në një prononcim për ATSH-në bëri të ditur se Zyrat e Punës janë tashmë mekanizmi i duhur që po lehtësojnë dhe ndërmjetësojnë punësimin në të gjithë vendin.

Sipas saj, gjatë periudhës janar-nëntor kemi gjithsej 21 696 punësime përmes AKPA-së. Nga këto, tha Kureta, 8 281 janë plotësim të vendeve të lira të shpallura në Zyrat e Punës.

Qeveria në këtë mandat të dytë të saj e ka vendosur objektiv punësimin duke e adresuar jo vetëm me politika sociale, por duke zbatuar politika fiskale në disa fronte që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit, ku sektori privat rritet dhe rrjedhimisht gjeneron vende pune.

Qeveria është fokusuar edhe drejt qasjes sociale, që ofrohet për ato grupe që nuk janë në gjendje të gjejnë vetë një punë në sektorin privat.

Këtu rol të madh po luan shërbimi i ndërmjetësimit të punësimit në Zyrat e Punës.
Programet e punësimit që po zbatohen nëpërmjet shërbimit kombëtar të punësimit, synojnë pikërisht lehtësimin e integrimit të këtyre grupeve të marxhinalizuara në tregun e punës.

Kjo është qasja e re që qeveria po i bën zyrave të punës, duke i kthyer punonjësin e shërbimit kombëtar të punësimit në një ndërmjetësues.

Shqipëria mbetet vendi me normën më të ulët të papunësisë tek të rinjtë dhe shifra vjetore vazhdon zbresë. Referuar statistikave të INSTAT-it, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 0.7% më e ulët.

Dhe këtu qeveria po e orienton brezin e të rinjve drejt arsimit dhe formimit profesional duke qenë se arsimi dhe aftësimi profesional janë elementë shumë të rëndësishëm për rritjen e punësimit. Sot që një i ri ose e re të gjejë vend pune duhet të jetë i pajisur me aftësitë e duhura, me aftësitë që po kërkon biznesi.

Tashmë janë identifikuar ata sektorë që do të mundësojnë në të ardhmen çeljen e vendeve të reja të punës. Ndër sektorët e evidentuar nga qeveria është turizmi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, dy fusha që ka një nevojë të madhe dhe është një treg që nuk është i shfrytëzuar në mënyrën e duhur.

Politikat fiskale vijojnë të mbështesin lehtësimin e sipërmarrjes dhe garantimin e rritjes së qëndrueshme që në fund prodhon punësim.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë miratoi një paketë lehtësuese postCOVID, përmes së cilës synon nxitjen e zhvillimit ekonomik por edhe punësimit.

Masat kryesore ligjore janë përjashtimi nga tatimfitimi për bizneset me xhiro vjetore 14 milionë, si dhe rritja e pragut për regjistrimin në TVSH në 10 milionë lekë për një periudhë 8 vjeçare.