Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton të gjithë tatimpaguesit se afati për të aplikuar për përfitimin e ndihmës financiare për ndërmarrjet e kategorizuara të vogla dhe të mesme në sektorin e prodhimit për zbatimin e protokolleve për parandalimin e përhapjes së virusit Sars-Cov-2 përfundon më datë 31 dhjetor.

Ndihma financiare ka në fokus ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe synon të mbulojë një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet, në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve.

Përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme në masën 4 000 lekë për çdo punonjës, e llogaritur për dymujorin nëntor –dhjetor 2020, respektivisht 2 000 lekë për çdo muaj.

Përfitues të kësaj ndihme janë ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin Qershor 2020, të dorëzuara përpara datës 09.11.2020.

Për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë ndërmarrja përfiton vetëm një herë ndihmën financiare.

Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para.

Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë.

Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 lekë në listëpagesë.