ATSH- A. Fortuzi/ Sektori i Peshkimit, pavarësisht problematikave të shkaktuara nga COVID 19, ka rritur eksportet në 104 milionë euro produkte peshkimi, duke e rritur 5% nivelin e eksporteve, krahasuar me një vit më parë. Ndryshimet ligjore të propozuara nga Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, për “Kodin Detar”, është një mundësi e mirë për fuqizimin e këtij sektori si dhe që të rinjtë shqiptarë të shohin këtë sektor si mundësi punësimi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, gjatë fjalës së saj në kuvend, gjatë diskutimeve për ndryshimet ligjore në “Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë”, ka theksuar se ky pr/ligj ka në fokus kapitenët e anijeve të peshkimit dhe konkretisht, kualifikimin e tyre”.

“Në fakt, ndryshimet ligjore i drejtohen rregullimit të një problematike të rëndësishme të anijeve të peshkimit, që lidhet me kapitenët e anijeve. Mungesa e personelit të kualifikuar, sidomos tek kapitenët është diçka që dihet. Brezi i kualifikuar para viteve 90’ ka dalë në pension dhe kjo po sjell një mungesë së kualifikimit për kapitenët e anijeve. Kapiteni i anijes së peshkimit është një person i kualifikuar jo vetëm në drejtimin e anijes, por edhe në peshkim, zonat e peshkimit, llojet e peshkimit..etj.”,- tha Ekonomi.

“Në kushtet kur flota jonë është modernizuar, është e aftë të peshkojë në të gjithë pellgun e Mesdheut, rekrutimi i një personeli të kualifikuar është shumë i rëndësishëm, për ecurinë e flotës së peshkimit, për rritjen e këtij sektori”,- tha Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas saj, “peshkimi në ujërat ndërkombëtarë është një praktikë që duhet mbështetur, dhe tashmë duhet të kemi parasysh se përveç ujërave tona territoriale, 14 mijë km2, kemi mundësi të peshkojmë dhe në ujëra ndërkombëtare të përcaktuara nga organizata rajonale e menaxhimit të peshkimit ku Shqipëria është palë. Prandaj dhe ky Pr/ligj i jep zgjidhje kapitetin të anijeve, ndërsa tashmë problemi mbetet mungesa e peshkatarëve dhe personelit tjetër të kualifikuar”.

“Megjithatë”,- shtoi Ekonomi, -“të rinjtë shqiptarë duhet të nxiten të shkojnë drejt këtij sektorit, pasi puna e peshkatarit është punë e mirëpaguar, edhe pse ka sakrifica. Është një sektor vital me rritje në prodhimin kombëtarë dhe në tregun ndërkombëtarë. Në vitin 2020 janë eksportuar 104 milionë euro produkte peshkimi, duke e rritur 5% eksportin e këtyre produkteve, krahasuar me një vit më parë. Reforma më e madhe e ndërmarrë është ajo e karburantit, i cili barazoi peshkimin shqiptarë me vendet e tjera fqinjë, duke mbyllur kalvarin e gjatë të furnizimit me naftë të anijeve shqiptare, që s’janë më të margjinalizuara”.

“Po ashtu”-, tha Ekonomi,-“u hoq TVSH për 27 zëra doganorë, që lidhen me peshkimin, rrjetat, furnizime bordi, pajisje elektronike, motorr anijesh, frigoriferë…etj. Po ashtu merkatot e peshkut të ndërtuara, që formalizon tregun e këtij sektori, duke e bërë konkurrues dhe të barabartë me vendet e tjera të Mesdheut dhe BE”,- tha Ekonomi.

Sipas saj  një tjetër avantazh është digjitalizimi dhe financimi për programit IPA. “Në kuadër të deregullimit, mjafton të përgatisim një dokument për një plan biznesi, dhe mund të marrin lejen për 20 vite, gjithçka online. Në vendin tonë përmes programit IPA, sot po aplikohet një thirrje, që i jep mundësi anijeve të peshkimit për të përmirësuar bazën e tyre mekanike apo frigoriferike, me grant 50% të investimit”,- theksoi Ekonomi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha se sektori Peshkimit është në evoluim e sipër. “Sipas statistikave botërore në vitin 2018 prodhimi i peshkut në të gjithë botën arriti 82.1 milionë gjallesa ujore me një vlerë 250 milionë dollar, dhe Shqipëria që ka rezerva të ujore ka mundësi ta rrisi këtë produkt peshku, duke rritur edhe prodhimin, duke e çuar në 64 mijë ton peshk bazuar në kapacitetin mbajtës të bregdetit. Prandaj me këto ndryshime ligjore në kodin detar, është një shans i mirë për të rinjtë shqiptarë që po drejtojnë shikimin nga ky sektor, për të gjetur punësim dhe për tu kualifikuar siç kërkohet”,- theksoi Ekonomi.