TIRANË, 18 korrik/ATSH/Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar pamjet rrënqethëse brenda ambienteve të spitalit Infektiv.

Pacientë në gjendje të rendë, mjekë dhe infermierë që vrapojnë teksa u shërbejnë me përkushtim në reanimacion, janë pamje që transmetohen për herë të parë nga spitali Infektiv në QSUT.

Prej më shumë se 130 ditësh mjekët dhe infermierët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19.

Në mesazhin e saj, Manastirliu ka apeluar edhe njëherë për mbajtjen e maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura në mënyrë që të mos rrezikojmë jetën e njerëzve të dashur.

“Spitali Infektiv pa koment. Lutemi vendoseni maskën mos rrezikoni jetën tuaj dhe të njerëzve tuaj më të dashur”, apelon Manastriliu.

Pamjet e publikuara nga ministrja vijnë si ndërgjegjësim dhe apel ndaj popullatës për të treguar kujdes ndaj këtij virusi të rrezikshëm, duke respektuar rregullat si dhe vendosur maskën në ambientet e mbyllura.

ATSH