TIRANË, 5 korrik/ATSH/- Pas rreth 4 muajsh mbyllur për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nga dita e nesërme do të rinisë transporti publik në kryeqytet.
Për të gjithë qytetarët, përdorimi i maskës është i detyrueshëm gjatë gjithë udhëtimit sikurse duhet respektuar distanca fizike përgjatë kohës së qëndrimit në autobus si edhe në hyrje e dalje.
Vendimi për rifillimin normalisht të transporti publik erdhi edhe pas dakordësisë së arritur mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Shoqatës së Shoqërive të Transportit Publik Urban. Gjithashtu është dakordësuar edhe për protokollin e sigurisë pas miratimit të dhënë për këtë qëllim edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja ka përshëndetur edhe rikthimin e shërbimit të transportit publik qytetës, pas atij ndërqytetës e rrethqytetës.
“Qytetarët kanë nevojë të lëvizin dhe sektori i transportit rrugor të udhëtarëve në tërësi ka nevojë të rianimohet e rimëkëmbet”, shprehet Gonxhja.
Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik qytetas/rrethqytetas (shoferë, faturino, kontrollorë) do të jenë të detyruar të përdorin maska.
Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19, edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si: kontrollor, dispecer, si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet gjatë kryerjes së shërbimit.
Gjithashtu, mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike në ambientet e operatorit transportues nga stafi i tij dhe mjetet e operimit në transportin qytetës/rrethqytetas për personelin e shërbimit (shoferë, faturino, kontrollorë) do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.
Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i ambienteve të brendshme të mjetit, përgjatë gjithë kohës së udhëtimit, nëpërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose me sisteme ajrimi.
Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjienës, të rekomanduara nga OBSH-ja, të vendosura në vende të dukshme për udhëtarët.
Për zbatimin me rigorozitet të masave të sigurisë, çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli, si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente dhe masat e parashikuara në protokollin e sigurisë do të kontrollohen nga organet kompetente.
ATSH