ATSH/ Në bashkinë e Tiranës ka nisur dhënia e granteve të meremetimit vetjak të banesave, të cilat u dëmtuan pjesërisht nga tërmeti i 26 nëntorit.
200 familje në banesa individuale dhe 2882 familje në banesa kolektive, përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët, për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë ose 80 milionë USD”.
“Procesi po ecën. Një pjesë e njerëzve nuk kanë pritur këtë ditë për të bërë meremetime, por nga ana tjetër fotografimi i situatës qysh në ditën e parë na jep mundësi që të të gjithëve t’u gjendemi dhe t’u japim atë që na takon. Bëhet fjalë për afro 8 miliard lekë, 80 milionë dollarë të cilat u kushtohen vetëm granteve për meremetimin sipas shkallëve të dëmeve DS1, DS2, DS3”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “aktualisht, bashkia e Tiranës ka 5.6 milionë dollarë në proces dhe nga ana tjetër jemi në procesin e fillimit konkret në terren të punës për rindërtimin e shtëpive”.
“Gjithë çështja është që qytetarët duhet të kuptojnë se kjo e sotmja është vetëm një pjesë, pasi bashkia po i bën miratimet me lote. Janë 2 mbledhje të tjera të Këshillit Bashkiak, ku ne presim të miratohen 3100 dosje fillimisht dhe 2 mijë të tjera, pra në total 5100 dosje të tjera, përveç këtyre, për të cilat tani po lëvrohen fondet drejtpërdrejt për familjet e dëmtuara”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “sot që flasim kemi në total nga bashkitë Tiranë, Shijak, Kamëz, Kurbin, Mirditë, Rrogozhinë, Kavajë, Vorë, Krujë, Durrës dhe Lezhë, 19 880 përfitues të ndarë në 3 kategori”.
“Lidhur me procesin për të nisur zbatimin në ndërtimin e banesave kolektive, është një proces që natyrshëm merr pak më shumë kohë se sa procesi i ndërtimit të shtëpive individuale për të cilën Fondi i Zhvillimit apo bashkia e Tiranës janë tani në një fazë konkluzive dhe nga dita në ditë do të nisin punën në terren. Për sa i përket procesit tjetër, atij të banesave kolektive në bashkinë e Tiranës, pasi të bëhet procedura e plotë me Këshillin Bashkiak do të fillojë edhe shembja e godinave të pabanueshme dhe të pariparueshme. Të gjithë banorët do të marrin shtëpi të reja me kushte shumë herë më të mira”, tha Rama.
Kryeministri garantoi të gjithë qytetarët, që “ne jemi çdo ditë pa orar në punë dhe ky është prioriteti i prioriteteve tona”. “Vazhdojmë intensivisht punën që të fitojmë edhe kohën e humbur për shkak të atyre javëve të rënda të mbylljes së çdo aktiviteti si rezultat i COVID-19”, tha ai. /a.g/