ATSH/ Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se llogaritet që shuma për riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit që lamë pas, të shkojë rreth 8.7 miliardë lekë.

Ky fond u shpërndahet familjeve, banesa e të cilëve ka pësuar dëme të lehta deri mesatare, të njohura ndryshe me koeficentët DS1, DS2, DS3.

Sot, ka nisur procesi i shpërndarjes së këtyre granteve në bashkinë e Tiranës, ndërsa nesër do të nisë në Kurbin. Më herët grantet kanë nisur shpërndarjen edhe në bashki të tjera të prekura si në Durrës, Shijak apo Kavajë.

‘Duke iu referuar sot Tiranës dhe nesër me vendimin e Këshillit të Ministrave për Kurbinin, praktikisht me programin e granteve të riparimit, që janë para në dorë të qytetarëve, për të meremetuar banesat e tyre për dëme nga të lehta e deri mesatare e gjithë zona e dëmtuar nga tërmeti po shërbehet plotësisht. Shuma shkon mbi 8 miliardë lekë. Po nëse ju referohemi 5100 dosjeve në bashkinë e Tiranës dhe rreth 2 mijë dosjeve në bashkinë e Durrësit, praktikisht shuma do të shkojë në 8.7 miliardë lekë“, tha Ahmetaj./a.gjonaj//a.a/