ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe se në të do të vendoset siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar, këtu në këtë sallë, ekzaktësisht në respekt të marrëveshjes së 5 qershorit, nga njëra anë dhe në respekt të më shumë se 80% të shqiptarëve, nga ana tjetër, që duan të zgjedhin edhe deputetin dhe jo vetëm partinë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama tha se mjegulla e përhapur përmes dezinformimeve, si dezinformimi i madh që ne po ndalojmë koalicionet, përmes gjysmë të vërtetave, e përmes klithjeve e lotëve të atyre që janë jashtë, do të shpërndahet më herë se vonë.
Por, theksoi kryeministri, nuk do të pengojë Parlamentin e Shqipërisë, që pa u mbyllur ky sesion të votojë një ndryshim historik, që i shërben Shqipërisë dhe zgjedhësve shqiptarë, që duhet jo vetëm të votojnë, por edhe të zgjedhin.
“Të gjithëve miqve tanë ndërkombëtar, këtu në Tiranë, që nga përfaqësuesja e nderuar e SHBA-së, e cila u vu në dispozicion me bujari e durim, në një proces jashtëzakonisht të vështirë, hapi edhe derën e shtëpisë së saj, meqë Parlamenti ishte një godinë e papranueshme për Luzlim Bashën dhe ata që e braktisën, përfaqësuesin e nderuar të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe që u angazhuan edhe personalisht, e lehtësuan komunikimin në episodin e fundit për sa kohë unë do të jem kreu i Partisë Socialiste, ku bëhet dialog shqip, me përkthim dhe nëpër ambasada të huaja, ashtu sikurse i falenderoj të gjithë, përfshirë edhe Johann David Wadephul, me të cilin kemi komunikim të vazhdueshëm, të hapur, të drejtëpërdrejtë, të barabartë, është një europianist i vendosur, një personalitet, e është mik shumë më tepër me Lulzim Bashën, se sa me mua, por më mjafton që është mik edhe me mua, dua t’u them se Parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe se në të do të vendoset siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar, këtu në këtë sallë ekzaktësisht në respekt të marrëveshjes së 5 qershorit, nga njëra anë dhe në respekt të më shumë se 80% të shqiptarëve, nga ana tjetër, që duan të zgjedhin dhe deputetin dhe jo vetëm partinë. Dhe këto të dyja janë një fakt me të cilin të gjithë miqtë dhe partnerët tanë duhet të jetojnë“, deklaroi Kryeministri./a.gjonaj/ /a.g/