TIRANË, 15 korrik/ATSH/Në fshatin Hotolisht të Librazhdit është mundësuar rikonstruksioni i kanalit vaditës, një kërkesë e hershme e banorëve që u shërben 250 familjeve.

Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra thotë se sistemi vaditës i trashëguar në të gjithë territorin, ka bërë që ndërhyrja të kryhej në mënyrë emergjente.

“Kemi trashëguar një sistem vaditës të amortizuar në të gjithë territorin e bashkisë Librazhd dhe për këtë arsye nga dita e parë e administrimit të punëve në bashki i kemi kushtuar shumë rëndësi kësaj çështje. Kemi investuar vit pas viti në kanalet vaditëse pavarësisht se rrjeti i kanaleve vaditëse është shumë i madh dhe ndërkohë që amortizimi që ka ndodhur gjatë këtyre 30 viteve ku pothuajse nuk është vënë dorë fare ka krijuar një situatë që në shumë vende, kjo ndërhyrja duhet të jetë emergjente. Sot jemi në këtë kanal vaditës i cili nis në parkun Shebenikë-Jabllanicë, me një gjatësi prej 3.8 km për fazën e parë të tij, 1.8 gjatësi’, tha Gurra.

Më tej ai shtoi se “siç e shikoni edhe vetë punimet janë bërë shumë cilësore dhe ky ujë është shumë i nevojshëm për 150 hektarë tokë që mbulon e gjithë kjo sipërfaqe e Hotolishtit. Janë i lumtur t’iu them që kemi arritur të realizojmë një kërkesë të kahershme të banorëve të këtij fshati, një fshat i mrekullueshëm me njerëz shumë punëtorë të cilët vazhdimisht e kanë kërkuar këtë investim. Ashtu sikurse jam i bindur që vitin tjetër do të vazhdojmë sërish për të përmbyllur të gjithë rikonstruksionin në këtë kanal vaditës, duke bërë në këtë mënyrë që çdo parcelë e këtij fshati të ketë sasinë e ujit për t’u vaditur. Ky është një fshat përveçse bujqësor ka edhe blegtori shumë të zhvilluar ndërkohë që për shkak të terrenit të tij, është një fshat i cili vizitohet shpesh nga turistë le të themi por edhe nga banorë të zonave të qytetit apo zonave përreth dhe investimi këtu do të rrisë jo vetëm ekonominë e zonës por do të shtojë shumë shpejt edhe agroturizmin duke e bërë këtë fshat edhe më të vizitueshëm”.

Nga ana e tyre, banorët e zonës u shprehën të kënaqur me investimin në fshatin e tyre.

“Me prurjet që bie ky kanal në stinën e verës, kemi shpresë që do punojmë tokën më shumë e do mbjellim më tepër vreshta . Është një ndihmë shumë e madhe për fshatin tonë”, u shpreh njëri nga banorët.

Një tjetër banorë falenderoi bashkinë për këtë investim. “Faleminderit për punën që ka bërë bashkia në këtë kanal sepse fshati jonë kishte shumë nevojë për këtë dhe ka akoma nevojë. Kjo na shërben shumë edhe për bujqësinë edhe për blegtorinë sepse ne me këtë investim kemi më shumë për ujë te pijshëm për blegtorinë”.

 

ATSH