Këshilli i Ministrave përcaktoi sot rregullat e posaçme për punësimin e të burgosurve, kushtet e punës, kohëzgjatjen dhe shpërblimin për punën e kryer.

Sipas këtij vendimi, të burgosurit i garantohet e drejta për t’u punësuar brenda ose jashtë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të tij në shoqëri.

Në çdo rast, punësimi i të burgosurve nuk është i lidhur ngushtësisht me shpërblimin për punën e kryer, por me nxënien, ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive e të njohurive profesionale gjatë ekzekutimit të vendimit, duke garantuar njëkohësisht edhe shpërblimin e drejtë të të burgosurve. Të burgosurit, që është vendosur në Institucionet e sigurisë së lartë, i garantohet e drejta për t’u punësuar vetëm brenda Institucionit.

Vendimi përcakton se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe çdo Institucion janë të detyruar të krijojnë kushtet dhe mundësitë për punësimin e të burgosurve brenda ose jashtë Institucionit sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve si dhe këtij vendimi.

Komisioni i Përhershëm i Vlerësimit të Aktivitetit të Punës në Burgje është një organ këshillimor i cili ka për qëllim të shqyrtojë dhe të vlerësojë çdo kërkesë për punësimin e të burgosurve, sipas parashikimit të këtij vendimi, si dhe të nxisë e të krijojë kushtet për punësimin e të burgosurve. Komisioni ka në përbërje 5 anëtarë, të cilët kanë mandat dyvjeçar.

Komisioni ngrihet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe e shtrin veprimtarinë në të gjithë vendin.