Policia e Gramshit ka parandaluar një krim në familje, ndërsa ka arrestuar në flagrancë kryefamiljarin. Gjatë kontrollit në banesë, këtij të fundit i janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatic, si edhe 1400 fishekë.

Njoftimi i Policisë:

Në sallën Operative të Komisariatit të Policisë Gramsh ka ardhur një telefonatë nga një shtetase që jetonte në fshatin Zgjup, Gramsh, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe ajo ndihej e frikësuar se mund ta vriste, pasi në banesë kishte dhe armë zjarri.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë dhe punës profesionale është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të ngjarjes, duke arrestuar në flagrancë shtetasin R. D., 60 vjeç, banues në fshatin Zgjup, Gramsh.

Gjatë kontrollit në banesë këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, një armë zjarri automatik dhe 1400 fishekë,  që i dispononte pa leje.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.