Projekti rajonal i demokracisë vendore “ReLOaD,” i financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, po punon në bashkitë e Durrësit, Përrenjasit dhe Dibrës për mbështetjen e projekteve lokale që nxisin punësimin e të rinjve në bujqësi e mbrojtjen e mjedisit.
Konkretisht, bashkia e Përrenjasit në partneritet me “ReLOaD” ka shpallur thirrjen e tretë publike për organizatat e shoqërisë civile për dorëzimin e projektpropozimeve, në përputhje me prioritetet dhe objektivat zhvillimore të bashkisë, siç janë aktivizimi i të rinjve, mbrojtja e mjedisit dhe bujqësia si dhe promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe kujdesi për shtresat në nevojë.
Po në Përrenjas, me mbështetjen e ReLOaD, Shoqata Agri-En identifikoi dhe promovoi tre shtigje për ecje me qëllim orientimin e vizitorëve dhe turistëve, si dhe certifikoi 12 të rinj si guidave vendore të bashkisë. Shoqata North-Green Association, ndërkohë, shënoi shtegun Pishkash – Sofra e Skënderbeut, së bashku me hartën ndihmëse për turistët, si dhe publikoi videon promocionale të radhës nën projektin “Zhvillimi i Turizmit Përrenjas.”
Projekti në Durrës vijon konsultua online me ekspertë për të përcaktuar aktivitetet e ardhshme me fokus komunitetet në Sukth dhe në Kullë, në kuadër të projektit “Rilindja dhe Rikuperimi – Rindërtimi i komuniteteve të qëndrueshme dhe qytetar aktiv në bashkinë Durrës”. Përmes këtij projekti, do të ofrohet mbështetje për komunitetet e prekura nga tërmeti, veçanërisht në njësinë administrative të bashkisë Durrës.
Në Dibër, Qendra Agritra në kuadër të projektit “Përmirësimi i pozitës social ekonomike të grave në Rajonin e Dibrës,” vazhdoi shpërndarjen e pajisjeve dhe ambalazheve për përpunimin e frutave dhe perimeve.
Këto pajisje janë shpërndarë në shoqatën “Shëndet në frutat e pyllit Staravec” dhe në grupin e grave Luzni. Qëllimi i shpërndarjes së këtyre pajisjeve ishte që gratë njohuritë e marra gjatë trajnimeve për përpunimin e frutave të zonës t’i aplikojnë praktikisht nëpërmjet këtyre pajisjeve.
Të gjitha këto iniciativa i shërbejnë nxitjes së punësimit të të rinjve dhe përmirësimit të ekonomive familjare në zonat të ndryshme të vendit