Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga banorët e Labinotit Fushë për investimin në rrugët e brendshme të fshatit Griqan i Poshtëm, Bashkia e Elbasanit sqaron se Një nga kërkesat e vazhdueshme të banorëve të këtij fshati gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, ka qenë pikërisht investimi në këtë rrugë. Kërkesa e banorëve është cilësuar e drejtë nga ana e Bashkisë Elbasan, pasi rruga i shërben një komuniteti, prej më shumë se 300 banorëve dhe fëmijëve të cilët ndjekin mësimin në shkollën e Griqanit.

Rruga në pjesën më të madhe të saj nuk prek prona të këtij komuniteti. Në një pjesë të vogël ku rruga prek pronat, do të nisë proçesi i shpronësimit sipas ligjit nr. 8561 datë 22.12.1999 “për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik, i ndryshuar, procedurë e cila ndiqet në të gjitha investimet me interes publik.

Bashkëngjitur është një pjesë e plan projektit të investimit në këtë rrugë: Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka zhvilluar disa takime me banorët e Labinotit ku ka sqaruar pretendimet e tyre. Përsa i përket pretendimit për marrjen e ujit, nuk ka asnjë plan tjetërsimi të ujit të fshatit Griqan dhe ky burim do të vazhdojë të përdoret për furnizimin e këtij fshati. Po ashtu, as pretendimi për zaptim të tokave nuk qëndron sepse asnjë kompani, apo individ nuk ka shprehur interes të marrë toka në Labinot Fushë qofshin këto me apo pa dokumenta pronësie.