TIRANË, 11 qershor/ATSH / Në Derven, Fushë-Krujë nisi sot puna për ndërtimin e shkollës së re “Kastrioti” dhe kopshtit të integruar si objekt më vete në hapësirën e saj, pas shkatërrimit të 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj vizitoi sot këtë zonë, ku u shpreh se standardet e përdorura për procesin e rindërtimit do të jenë ato europiane.

“Hapet me këtë objekt, seria e kantiereve të Rindërtimit nga themelet të 129 shkollave, të cilat do të rilindin me standarde arkitektonike e arsimore shembullore, në përputhje me standartet europiane, mbi rrënojat e ngrehinave të shëmtuara e të degraduara që shkatërroi tërmeti”, tha Rama.

Kryeministri u kërkoi përfaqësuesve të kompanisë që po kryen punimet të përshpejtojnë ritmet e punimeve, në mënyrë që ajo të jetë gati 26 nëntorin e këtij viti, një vit pas tërmetit që e dëmtoi atë.

Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur se ditë pas dite kanë filluar të hapen kantieret e ndërtimit të shkollave.

Në harkun kohor të 2-3 javëve janë 33 objekte arsimore që nisin nga puna me financimin e buxhetit të shtetit. Të gjitha këto objekte pritet të përmbyllen deri në fund të vitit.

Ministri Ahmetaj tha se paketa e parë e financimit të Komisionit Europian që do të zbatohet nga PNUD parashikon ndërtimin e 22 shkollave dhe është akoorduar fondi prej 15 milionë eurosh.

Ndërkohë informoi ai, jemi në përfundim të diskutimit për partinë e dytë të shkollave që do të marrim për 50 milionë euro.

“Komisioni Europian ka në veprim sot një pjesë të madhe të angazhimit të tij financiar prej rreth 65 milionë eurosh dhe në dy javët që vijnë do të duhet të vendosim për objektet e trashëgimisë kulturore përkundrejt një financimi prej 50 milionë eurosh. Këtu mbyllet edhe angazhimi i Komisionit Europian për rindërtimin”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas ministrit Ahmetaj në procesin e rindërtimit pritet të angazhohen rreth 130 kompani që do të kenë marrë përsipër punë në shkolla infrastrukturë, ndërtimin e njësive individuale dhe komplekseve urbane.

ATSH