Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli foli për rritjen e numrave të të infektuarve me COVID-19 dhe agresivitetin e virusit, me shtimin e rasteve të viktimave në Shqipëri. E ftuar në emisionin “Pa Protokoll” në Report Tv, Rakacolli tha se Shqipëria ka numrin më të ulët të vdekshmërisë në rajon në lidhje me numrin e të infektuarve.
Sa i përket rritjes së numrave të të infektuarve, Rakacolli tha se kjo ishte e pritshme edhe pse jo në këto shifra të larta, por shtoi se vendi ka një numër të qëndrueshëm infektimesh krahasuar me rajonin, ku kurba e infeksionit po rritet ndjeshëm.
“Rritja ishte parashikuar, por nuk ishte parashikuar të rritej në këtë mënyrë si ndodhi. Rihapja ka rritje të numrave dhe deri tani në mungesë të një vaksine shmangia e kontakteve është e vetmja mënyrë për të parandaluar virusin. në fillim kur BE vendosi të hapte kufijtë për Serbinë dhe Malin e Zi ato kishin shifra më të ulta se Shqipërisë. Tani në dy javët e fundit Shqipëria ka ruajtur një numër konstant të të infektuarve, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë pësuar rritje të ndjeshme të të infektuarve. Gjithashtu edhe në lidhje me vdekshmërinë, Shqipëria ka numrin më të ulët në rajon krahasuar me numrin e të infektuarve”, tha Rakacolli.
Sa i përket mbylljes së disa institucioneve në vend si pasojë e punonjësve të infektuar, Rakacolli tha se mbyllja është bërë vetëm për një apo dy ditë sa është bërë dezinfektimi dhe hetimi epidemiologjik i stafit dhe më pas ka nisur puna, ku shërbimi nuk është ndalur asnjëherë.
“Sa i përket mbylljes se institucioneve kanë të bëjnë vetëm me ditën që është konfirmuar rasti, por shërbimi nuk ka munguar. Dita që kanë zbuluar rastin është bërë dezinfektimi, hetimi epidemiologjik, është mbyllur atë ditë dhe shërbimi ka filluar të ofrohet ditën tjetër”, u shpreh Rakacolli,
Në lidhje me një mbyllje të dytë, Rakacolli tha se ‘për momentin shifrat janë të kontrolluara dhe nuk është shtrua si opsion rimbyllja”.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Rakacolli u shpreh se shteti “po përgatitet për skenarët më të këqij me shtretër shtesë, me burime njerëzore e vaksina gripi pasi nuk e dimë se çfarë na pret në vjeshtë”.
I.K./r.k./Shqiptarja.com