Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rezultatet e Këshillimit Kombëtar do të paraqiten në Kongresin e Partisë Socialiste, ndërsa shtoi se “njerëzit do të shohin se çfarë ata kanë vendosur do të bëhet”.
Në një prononcim për mediet nga selia e PS-së pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, Rama tha se Këshillimi Kombëtar është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Është hera e parë që ndodh. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë çdo vit dhe do të mendojmë si ta bëjmë më mirë”, tha ai.
Lidhur me Kongresin e PS-së, Rama tha se ai do të mbahet së shpejti, ku do të diskutohet edhe statusi i ri i PS-së.
“Sot kemi folur edhe për vazhdimin e procesit të mbledhjes së opinioneve të fshehta të të gjithë përfaqësuesve të grupit parlamentar dhe kryesisë për kandidaturën për President”, informoi Rama.
I pyetur nëse do të ketë ndryshime në qeveri, Rama tha: “Jo, ndryshime në kabinet nuk ka arsye pse të ketë”.



























