
ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga spitali COVID 4, një strukturë tërësisht e re spitalore me 110 shtretër, që është gati me të gjitha pajisjet dhe burimet njerëzore për të pritur pacientët me COVID.
“Mirëmëngjes dhe me pjesën e katërt të EKSKLUZIVES nga vija e zjarrit, brenda spitalit COVID4, ku mund të shihni gatishmërinë e sistemit tonë të mbrojtjes shëndetësore, që është krejt po krejt ndryshe nga çfarë ju thonë ata që ëndërrojnë katastrofën e nxisin ankth, pasiguri, frikë, duke ju siguruar se nuk do të jeni kurrë vetëm në këtë luftë ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Në një intervistë për ERTV-në, Daniela Nika, zv.drejtore e QSUT-së u shpreh se tashmë kemi në varësi një strukturë të re spitalore që ofron një shërbim me kapacitete të shtuara për pacientët me COVID.
“Aktualisht kjo strukturë ka 110 shtretër. Kemi zonën e triazhit, zonë e pajisur me panelet e oksigjenit. Do të kemi edhe një sallë mikrokirurgjie për të kryer disa ndërhyrje miniinvazive që do të kemi dhe një grafi portative që është në dispozicion për zonën e terapisë intensive që pacientit t’i bëhen ekzaminimet në shtratin e tij. Kemi ashensor për pacientët. Kjo është e gjitha një zonë e kuqe me akses të kontrolluar ku nuk mund të hyjë kushdo”, tha ajo.
Nika tha se po ashtu është reparti i terapisë intensive, ku janë 5 shtretër të pajisur me aparaturat e fundit, ventilatorë, respiratorë, monitorë pacienti, mikrokardiograma, ekografitë portative dhe të gjitha panelet e oksigjenit.
“Këtu pajisjet janë bashkëkohore. Janë të gjitha të reja. Çdo pacient do të ketë ventilatorin e vetë dhe monitorin e tij. Më vjen shumë keq që përhapen lajme të tilla nga persona të papërgjegjshëm që thonë se këtu jemi në kolaps. Nuk e di se ku e shikoni kolapsin.
Faktet flasin vetë, kush do ta quaj propagandë le ta quaj të tillë”, tha Nika.
Po ashtu, ajo tha se “dhomat janë dyshe dhe jo të mëdha”. “Janë të pajisura me ventilatorë e monitorë dhe secili prej shtretërve ka panelet e oksigjenit. Pacienti nëse ka nevojë të ketë ndihmë shtyp butonin dhe infermierja vjen në çdo moment. Ka ajër të kondicionuar. Këtu shpresojmë të jenë pacientët që janë trajtuar fillimisht në spitalet COVID 1 dhe 2. Por ka të gjitha kapacitetet. Aktualisht nuk jemi ende në kohën e përdorimit të kësaj, por jemi gati për çdo eventualitet. Ende kemi hapësira për të pritur pacientët në spitalet e tjera COVID. Ne kemi përgatitur edhe strukturën e burimeve njerëzore, e dimë sa staf i duhet kësaj qendre, po vendosim emrat e drejtuesve dhe emrat e punonjësve, por i kemi gati të gjitha burimet njerëzore”, tha Nika./m.m/