Po bëhen thuajse tre muaj që nga ndërprerja e transportit urban, i cili para pandemisë raportonte mbi 300 mijë pasagjerë në ditë. Me rihapjen e shumë aktiviteteve, paralizimi i tij përbën shqetësim për qytetarët, të cilët duhet të përshkojnë kilometra në këmbë, ndërsa ata që i kanë mundësitë mund të përdorin taksitë. Deri tani ende nuk flitet për rifillim të tij, për sa kohë që është e pashmangshme ruajtja e distancës mes pasagjerëve dhe shihet si një nga sektorët më të riskuar sa i përket përhapjes së pandemisë së Covidit.
Vetë qytetarët nuk e kanë të qartë se kur do të rifillojë transporti publik, teksa për Tv Skampa shprehen se ka ardhur koha që të hapet edhe ky sektor. Sipas tyre, në këtë moment kur gjithçka është rihapur në vendin tonë, duket e papranueshme të mos ndodhë kjo gjë edhe me transportin, në një kohë kur pjesa më e madhe e njerëzve nuk mund ta përballojnë marrjen e një taksie për çdo nevojë që kanë.
Shoqatat e Transportit Ndërqytetas kanë planifikuar që javën e ardhshme t’i drejtohen qeverisë për të mësuar se çfarë do të ndodhë me transportin publik, si do të veprohet pas hapjes dhe kur do të ndodhë ajo. Kompanitë paralajmërojnë se do të kërkojnë edhe kompesim të humbjeve që kanë pasur këto kohë.