ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se janë 4810 familje që përfitojnë në bashkitë Lezhë, Krujë dhe Kurbin pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive. Qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë ose 80 milionë dollarë.

“Sot jemi me kryetarët e bashkive të Lezhës, Krujës dhe Kurbinit për procesin e dhënies së lekëve për të gjitha familjet e prekura në banesën e tyre nga tërmeti që kanë rezultuar në nevojë për mbështetje për meremetimet, sipas të tre shkallëve të dëmeve të karakterizuara si DS1, DS2 dhe DS3 . Në total deri tani jo vetëm në këto tre bashki, por në të gjithë zonat e prekura kemi 20 087 përfitues të kësaj mbështetjeje dhe shuma totale është 76 milionë dollarë, por si rezultat i vazhdimit të verifikimeve dhe plotësimit të gjitha nevojave ne parashikojmë që do të kalojë 80 milionë dollarë”, – theksoi Rama në komunikimin online me kryetarët e bashkive të Kurbinit, Lezhës dhe Krujës.

Kreu i qeverisë u shpreh se “bashkia Lezhë ka miratuar mbështetjen financiare për dëmtime të shkallës DS1, DS2, DS3, në një masë afro 2.5 milionë dollarë, ose 249 milionë e 450 mijë lekë. Me vendimin e Këshillit të bashkisë Lezhë ka filluar dhënia e granteve për më shumë se 200 përfituesit e parë”.

“Po ashtu, bashkia e Krujës ka miratuar mbështetje financiare për një masë ndihme për meremetimet rreth 6.6 milionë dollarë ose 660 milionë e 700 mijë lekë dhe për një numër përfituesish janë lidhur 897 kontrata, vazhdon lidhja e kontratave. Edhe bashkia Kurbin ka bërë miratimin e mbështetjes prej 4.7 milionë dollarësh dhe ka lidhur 1083 kontrata, deri tani që flasim dhe ka nisur lëvrimin e fondeve”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “në total numri i familjeve në nevojë për mbështetje është 3124, gjithë kjo diferencë është një diferencë që lidhet me ata që do të marrin shtëpitë e reja. Puna e bërë në bashkinë e Kurbinit ka qenë punë e jashtëzakonshme, pa dashur t’i bëj qejfin kryetares, por volumi i problematikave ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos për të sistemuar të gjithë dokumentacionin lidhur me pronësinë dhe aspektet ligjore për çdo familje”.

“Nga ana tjetër kur flasim për heqjen e inerteve në zonën 1/1 e kemi fjalën për inertet e krijuara nga shpronësimet. Pra volumi i madh i inerteve pas shembjes së pallateve të dëmtuara është hequr me kohë, ka hyrë në mes një proces shpronësimi i disa familjeve, të cilat ose kanë dakordësuar me bashkinë për të marrë fondin përkatës të shpërblimit, ose janë dakordësuar me bashkinë që do të sistemohen në infrastrukturën krejt të re që do të ndërtohet. Tani jemi gati për të filluar me kantierin e madh të lagjes 1/1, ndërkohë që po bëhemi gati për kantierin tjetër të lagjes 1/2, që transformojnë në mënyrë rrënjësore të gjithë zemrën e qytetit të Laçit”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “po vazhdojmë punën me kryetaren e bashkisë për një sistemim të rrugës që të çon në kishën e Shna Ndout në mënyrë që të lidhim të gjitha zhvillimet e reja edhe me nevojën për të pasur një hapësirë shumë më dinjitoze qoftë për parkimet, sepse numri i vizitorëve, them vizitorëve, për momentin, sepse nuk kanë pasur mundësi qëndrimi si turistë në atë zonë, të kthehet në një burim ekonomie për zonën”.

Sipas Ramës, edhe me plotësimet e tjera përreth “ne kemi shumë besim që Laçi do të jetë një atraksion turistik shumë i rëndësishëm dhe potencialin e madh që ka nga pelegrinazhi masiv gjatë gjithë javëve të shenjta të kthehet në arsye për të zhvilluar gjithë rrjetin e mikpritjes qoftë asaj ditore dhe disaditore”.

Sa  përket Lezhës, Rama tha se “qyteti i Lezhës ka qenë më pak i dëmtuar. Në Lezhë janë përveç granteve, edhe disa projekte për rindërtim”.

Kryeministri premtoi se “do të vazhdojmë punën me sa më shumë intensitet e absolutisht asnjë familje në nevojë pas tërmetit nuk do të mbetet vetëm. Do jemi pranë tyre qoftë për t’i dhënë mbështetetje financiare për meremtime, qoftë për t’i dhënë çelësin e banesës së re, qoftë në fshat, edhe në qytet”.