Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë portuale dhe detare, në fund të muajit gusht të këtij vitit, një ekip specialistësh të Rojës Bregdetare të SHBA, kanë inspektuar zbatimin e masave të sigurisë në portet kryesore të vendit tonë.

Delegacioni amerikan u ndal gjithashtu në Portin e Durrësit, për të vlerësuar zbatimin e Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë në Anije dhe Facilitete Portuale (ISPS Code), masat e ndërmarra për parandalimin e incidenteve në territorin, basenin dhe radën e portit, parametrat e sigurisë në zonat kufitare për pasagjerët dhe mallrat si dhe u njohën nga afër me strukturat e sigurisë portuale dhe administratës sonë detare.

Në takimet e zhvilluar me MIE, Autoritetin Portual Durrës dhe Drejtorinë e Përgjithshme Detare, specialistët e SHBA shprehën mbështetjen e tyre për punën që po bën Shqipëria për zhvillimin e porteve dhe infrastrukturës logjistike, si dhe harmonizimin e standarteve të sigurisë detare sipas konventave dhe kodeve ndërkombëtare.

Kreu i APD-së, Pirro Vengu, i njohu ata me planet e zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës portuale në Durrës dhe Porto Romano duke nënvizuar se këto investimeve do të shoqërohen me përmirësimin e sistemeve të sigurisë portuale dhe rritjen e kapaciteteve të personelit portual falë programeve të dedikuara të Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare, krijuar rishtazi pranë Portit të Durrësit.

Vizitorët u ndalën gjithashtu në Sallën Ndërinstitucionale Operacionale si dhe pranë zonave të sigurisë në në Terminalin e Pasagjerëve dhe Trageteve, ku vlerësuan me nota pozitive progresin e bërë në rritjen e parametrave të sigurisë në Portin më të madh në vend.

Në mbyllje të vizitës, palët dakordësuan një serë projektesh bashkëpunimi dhe asistence teknike, përfshirë sigurinë kibernetike, përmirësimin e procedurave doganore në zonat portuale dhe trajnimin e specialistëve shqiptarë të sigurisë portuale në SHBA përmes programeve të Rojës Bregdetare Amerikane