TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Mjekja infeksioniste Entela Kolovani u bëri thirrje sot qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat kundër COVID-19, ndërsa theksoi se “ky virus nuk është si gripi, ashtu sikurse pretendohet në masë”.

E ftuar në një studio televizive, ajo theksoi se “javët e fundit numri i rasteve është rritur ndjeshëm dhe për pasojë po ashtu është rritur edhe numri i të shtruarve në spitalin Infektiv”.

Kolovani tha se “deri tani situata është e përballueshme në spital, ndërsa kanë në dispozicion 120 shtretër”.

“Deri tani me këtë trend jemi duke e përballuar me numër shtretërish. Në funksion të shërbimit tonë janë vendosur që në fillimi 2 pavione shtesë. Kemi 120 shtretër. Njëri pavion i është kushtuar terapisë intensive. Nëse vazhdojmë me këto shifra e përballojmë. Edhe pse dëshira jonë është sa më pak të sëmurë me koronavirus. Kthimi mbrapa nuk do të ishte i falshëm për ne si qytetarë. Shpresoj shumë që qytetarët të na mirëkuptojmë. Nuk mund t’i kthehemi më karantinës”, tha Kolovani.

“Çdo person ka të drejtë të informohet. Kanë dëgjuar që thuhet është grip, por ky virus e ka treguar se nuk mund të jetë shumë i parashikueshëm. Nuk ngjan me gripin. Nëse shohim prekjet pulmonare të personave që kalojnë koronavirusin janë krejt ndryshe nga ato të gripit. Nëse do të shohim çfarë ndodhi në fillim në mars dhe prill me botën, vërtet u mendua se janë moshat e treta ato më vulnerabël, por kjo u lidh me sëmundjet bashkëshoqërues. Më pas u tregua se sëmundja nuk zgjedh mosha”, tha ajo.

Lidhur me infektimin e personelit shëndetësor, ajo tha se “është e pashmangshme kur mendon se edhe në botë ka pasur personel shëndetësor të infektuar”.

“Edhe tek ne nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mjekët i kanë pajisjet e mbrojtjes thjeshtë duhet ta kenë në vëmendje që nuk mund të futen te pacientët pa i mbajtur ato. Epidemiologët u përpoqën që të ndërprisnin këtë zinxhir infektimi në QSUT. Realisht kanë qenë disa mjekë dhe infermierë të hospitalizuar dhe tashmë kanë dalë të shëruar”, u shpreh ajo.

ATSH