Kur kanë mbetur më pak se tre javë nga zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, gara mes kandidates demokrate Kamala Harris e republikanit Donald Trump vazhdon të mbetet tejet e ngushtë.

Fati i këtyre zgjedhjeve pritet të vuloset në 7 shtetet e lëkundura, mes të cilave edhe Michigani. Pikërisht këtu ndodhet komuniteti i dytë më i madh i shqiptaro-amerikanëve në SHBA, pas Nju Jorkut.

Ekipet elektorale të ish-presidentit Trump dhe zv.presidentes Harris po përpiqen të sigurojnë votën e shqiptaro-amerikanëve, thekson VOA, së cilës Imam Shuajb Gërguri nga Qendra Islame Shqiptare i shpjegoi se cilat janë çështjet kryesore që ndikojnë votën e shqiptarëve atje.

Një prej tyre është politika e jashtme, dhe tjera, me shumë rëndësishme për shqiptarët, përveç ekonomisë që padyshim merr vëmendje, është qëndrimi partiak në lidhje me çështjen e Kosovës.

“Pra qëndrimi, apo deklarimi haptazi se si do të jenë, apo çfarë do të bëjnë për Kosovën, mund të jetë përcaktues se çfarë krahu do të marrin shqiptarët dhe nga do të votojnë në këto zgjedhje”, thotë ai.

Duket roli i ish-presidentit demokrat Bill Clinton për ndërhyrjen e NATO-s në ndaljen e spastrimit etnik në Kosovë dhe veprimet e demokratëve të tjerë më pas, ka një lidhje mes komunitetit dhe demokratëve në Shtetet e Bashkuara.

Politika e Uashingtonit ndaj Ballkanit Perëndimor ka qenë në përgjithësi dy partiake. Kosova u njoh nga Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së ish-Presidentit republikan George W. Bush dhe politikanë me peshë që kanë mbështetur Kosovën përfshijnë si demokratë edhe republikanë.

Ndërkohë aktivisti Valentin Lumaj, kujton se administrata Trump dukej se anonte nga Serbia kur bëhet fjalë për dialogun për marrëveshje mes dy vendeve.

Sakaq edhe gjatë administratës aktuale të Presidentit Joe Biden, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka shënuar përparim dhe marrëdhëniet e Prishtinës me Uashingtonin janë në pikën më të ulët që kur Kosova shpalli pavarësinë, për shkak të atyre që zyrtarët amerikanë i kanë karakterizuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti.

Top Channel