UASHINGTON, 18 mars /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump u kthye në Facebook dje pas më shumë se dy vitesh larg dhe postoi një mesazh me dy fjalë: “I’m BACK!” (”U ktheva”!)
Postimi shoqëroi një video prej 12 sekondash duke iu drejtuar një turme pasi fitoi zgjedhjet e 2016-ës.
“Më falni që po prisni. Punë e komplikuar”, thotë ai në klip.
Trump u ndalua nga Facebook, së bashku me platforma të tjera si Instagram dhe Twitter, pasi një turmë mbështetësish të tij sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021 pas humbjes së tij në zgjedhje nga Joe Biden.
Trump u akuzua për përhapjen e dezinformatave zgjedhore dhe nxitjen e dhunës.
Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, hoqi ndalesat në janar, por Trump deri më tani kishte qëndruar jashtë.
YouTube hoqi dje kufizimet në llogarinë e Trump.
Twitter, ku Trump postonte vazhdimisht gjatë presidencës së tij, rivendosi llogarinë e tij nëntorin e kaluar pas blerjes së kompanisë nga Elon Musk. Të premten, megjithatë, postimi i fundit në Twitter ishte ende nga janari 2021.
Ai ka më shumë se 80 milionë ndjekës në Twitter.
Kur Meta njoftoi në janar se Trump mund të kthehej, ai theksoi se ai do t’i nënshtrohej standardeve të komunitetit tonë.
“Në rast se zoti Trump poston përmbajtje të mëtejshme dhunuese, përmbajtja do të hiqet dhe ai do të pezullohet nga një muaj deri në dy vjet, në varësi të ashpërsisë së shkeljes”, shkroi presidenti i Metës për çështjet globale, Nick Clegg.
Përveç postimit të së premtes në Facebook, Trump i ka qëndruar besnik gjatë dy viteve të fundit platformës konservatore Truth Social, të cilën ai vetë e themeloi. Ai ka vetëm një pjesë të vogël të numrit të ndjekësve në Twitter atje.
Trump, 76 vjeç, njoftoi vitin e kaluar se do të kandidonte për t’u bërë president për një mandat të dytë në 2024./ a.jor.