ATSH/ – SHBA vazhdon të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, e cila është e nevojshme për anëtarësimin në BE.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim uroi sot gjyqtarët për punën e tyre në përparimin në drejtësi, duke iu referuar mbledhjes së  Përgjithshme të Gjyqtarëve të organizuar nga Gjykata e Lartë e Shqiëprisë në 8 prill, duke respektuar distancimin social.

“Gjykata e Lartë e Shqipërisë organizoi mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, me distancim social. Urime gjyqtarëve për përparimin në drejtësi. SH.B.A. vazhdon të mbështesë fuqimisht reformën në drejtësi, e cila është e nevojshme për anëtarësimin në BE”, ka theksuar Kim në një reagim të saj.

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve e zhvilluar në datën 8 Prill 2020 diskutoi dhe përcaktoi kriteret dhe mënyrën se si do të procedohet me përgatitjen ose shqyrtimin e çështjeve.

Përballë numrit të jashtëzakonshëm dhe kohës së gjatë të çështjeve në pritje për t’u shqyrtuar dhe në respektim edhe të kritereve ligjore për gjykimin e tyre, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve vlerësoi se do të vijohet menjëherë me shqyrtimin e rekurseve të çështjeve të themelit, nisur nga kriteri i kohës së paraqitjes së tyre për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, krahas çështjeve të tjera që për nga natyra e tyre dhe sipas ligjit duhet të shqyrtohen në mënyrë të shpejtë, sikurse janë mosmarrëveshjet për juridiksionin, kompetencën, kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve etj.

Gjithashtu, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, sipas kompetencës së caktuar me ligj diskutoi dhe paraqiti mendimin e saj edhe për formimin e tre kolegjeve dhe të trupave gjykuese të Gjykatës së Lartë.