Ministri i Dretësisë në Kosovë, Selim Selimi është gjobitur, pasi ka thyer rregullat antiCovid.

Selimi ka thyer orën policore, duke lëvizur kështu jashtë orarit të përcaktuar.

Lajmin e ka bërë me dije vetë ministri me anë të një postimi ne rrjetet sociale, ku shkruan se është gjobitur dhe se e ka paguar gjobën.

“Është i vërtetë lajmi që sot jam dënuar për thyerje të masave qeveritare për pandeminë. Edhe pse sipas pikës 25.1 të vendimit për masa për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nga kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 janë të përjashtuar personeli i drejtësisë, kam pranuar ta paguaj dënimin, për shkak të sjelljes profesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Gentianit dhe ekipit të tij”, ka shkruar Selimi.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të kufizojë lëvizjen si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.