Thonë se para shëndetit, paraja nuk ka rëndësi. Por, mesa duket kush ka më pak të ardhura, lë edhe shëndetin pas dore e kjo është më evidente për vendin tonë. Fatkeqësisht 41% e shqiptarëve e kanë shtyrë vizitën mjekësore ose nuk kanë shkuar fare te mjeku e kjo vetëm se nuk kanë para mjaftueshëm apo kanë kursyer.

Në bazë të të dhënave të publikuara në Anketën e Cilësisë së Jetës, të kryer nga Komisioni Europian, shqiptarët kanë përqindjen më të lartë në të gjithë Evropën, kur bëhet fjalë për të anashkaluar vizitat te mjeku. Të intervistuar nga Tv Skampa, qytetarët elbasanas shprehen se arsyet kryesore përse nuk bëjnë vizitat periodike tek mjeku, përveç ekonomisë së dobët, ia vënë fajin edhe ndërgjegjësimit të pakët.

Situata është edhe më alarmante, sa i përket kujdesit ndaj dhëmbëve, pasi gjysma e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur, se nuk kanë shkuar fare ose e kanë vonuar një vizitë te dentisti. Krahasuar me vendet fqinje, të cilat janë kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, diferenca është e lartë. Ndërsa, nëse do t’i referoheshim vetëm personave me të ardhura shumë të ulta, shifrat janë edhe më të frikshme, pasi 70% e individëve heqin dorë nga vizitat te mjeku.