ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka deklaruar se bllokimi i punës në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” është një ngjarje e rëndë dhe prezenca e Ushtrisë në këtë portë hyrëse nga ajri në vendin tonë është thjesht një vigjilencë e shtuar.

Ministri Peleshi gjatë një deklarate për mediet theksoi se është urdhëruar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të zgjidhë çështjen e kontrollorëve, duke i zëvendësuar ata.

“Ngjarja e fundit në aeroportin e Rinasit, bojkoti i punës nga kontrollorët e Albkontrollit është ngjarje e rëndë. Sa i përket Ministrisë së Mbrojtjes, ne jemi pjesë integrale me strukturat të posaçme të Ushtrisë dhe Policisë Ushtarake”,- tha ai.

“Nuk ka patur gjë më tepër sesa kaq, sesa prezenca jonë integrale për ruajtjen dhe garantimin e perimetrit të aeroportit. Kaq kemi bërë, ajo që është e rëndësishme dhe që kemi bërë është ruajtja e vigjilencës, që ndodh kur cenohet një aset i rëndësishëm për sigurinë kombëtare, një objekt strategjik, një infrastrukturë kritike e ndërlidhjes kufitare, siç është cilësuar aeroporti. Në këtë rast ne do jemi më vigjilentë”,-sqaroi ai.

“Jemi të vetëdijshëm për moslejmin e FA të lëvizin në një periudhë zgjedhore, pa një urdhër të veçantë, por nuk jemi në ato kushte. Jemi në vijimin e punës si zakonisht me vigjilencë të shtuar në aeroport. Unë në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, me kërkesën e Ministrisë së Infrastrkturës kam thirrur dje, në një mbledhje virtuale Komitetin, ku kemi diskutuar për emergjencën që ka sjellë situata. Është porta e vetme e hyrjes ajrore, është porta e vetme nga vijnë përmes ajrit, përmes avionëve, vaksinat. Procesi i vaksinimit është lajmi më i mirë i kohës për të luftuar problemin e gjithë botës. Këputja e furnizimit do ishte dramatike, do shkaktonte emergjenca civile”,- shtoi Peleshi.

“Është një nga shkaqet që mblodhëm komitetin e Mbrojtjes Civile, që drejtohet nga ministri i Mbrojtjes. Janë dhe të tjera emergjenca, qindra shqiptarë që gjenden në aeroportet  e Europës për të ardhur në Rinas. Ka dhe çështje të tjera si stërvitja “Defender 2021″. Kjo stërvitje do të fillojë në ditët e para të majit. Përgatitjet kanë kohë që kanë nisur në bashkëpunim me SHBA dhe partnerët e tjerë të NATO. Do të jetë stërvitja më e madhe e 30 viteve të fundit, tregon rëndësinë dhe rolin strategjik që Shqipëria luan dhe do luajë në Ballkan në të ardhmen”,- tha Peleshi.

“Ne jemi krah për krah me SHBA si partnerë strategjik për të mbajtur drejt perëndimit orientimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Peleshi. /j.p/