/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ripërsëritur thirrjen për ndërgjegjësim pas trendit në rritje të rasteve të konfirmuara pozitivë.

Ministria e Shëndetësisë ka informuar se sot është dita me numrin më të lartë të shtrimeve që nga fillimi i epidemisë. Sipas shifrave të bëra publike, aktualisht janë 82 të shtruar dhe më shumë se 790 raste aktive në të gjithë vendin.

Eugena Tomini shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik u shpreh se “gjatë javës që lamë pas kemi patur një trend të rritur të rasteve të konfirmuara pozitiv, zgjerim të fashës së moshës së prekur me simptoma të shprehura, shtim të rasteve të hospitalizuara, por kemi pasur edhe humbje jete. Kjo situatë ka reflektuar faktin që kemi ende ndërgjegjësim të ulët për respektimin e masave, por dhe prezencë të virusit me të njejtin nivel trasmetueshmërie. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve, të tregojnë kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangni kontaktet dhe vendosni maskat kur nuk është e mundur të ruhet distanca”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka apeluar qytetarët për vetëndërgjegjësim, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura, për të ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri, për të ruajtur higjienën personale dhe për të mbajtur maskat kudo ku nuk respektohet dot distanca.

“Bizneset të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Shmangni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit.Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, kurse të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet me qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë nëpërmjet telefonit me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.
Telefoni në linjën e gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes, për këshillim psikologjik apo informacion për Covid19.Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me Covid19, eshte e rendesishme te qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127″, tha Tomini. z.tosku/j.p/