Të rikthyerit nga emigracioni nuk kanë arritur të integrohen plotësisht në tregun e punës në vend, madje edhe ata që kanë arritur të sigurojnë një të tillë është në të zezë dhe kjo zë 59 për qind të totalit.

Një studim i World Vision Albania dhe Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike zhvilluar në kuadër të projektit “Riintegrimi i të rikthyerve nga emigracioni dhe investimet për ta në Shqipëri” (RE-IN-VEST) financuar  nga Qeveria Gjermane dhe zbatuar nga  GIZ Albania nxori në pah disa të dhëna interesante mbi situatën. Sipas të dhënave janë 1434 individë të rikthyer në 13 Bashki të Shqipërisë janë bërë pjesë e projektit RE-IN-VEST.

Në studim kanë marrë pjesë 190 te rikthyer, 107 prej të cilëve i përkasin gjinisë femërore dhe 83 të rikthyer i përkasin gjinisë mashkullore. Në këtë vrojtim, 120 të rikthyer jetojnë në qytet dhe 70 të rikthyer jetojnë në fshat. 59% të rikthyerve punojnë në të zezë, ndërsa 68.9% e tyre janë pa punë; 41 % e te rikthyerve të punësuar janë të siguruar nga punëdhënësi i tyre, 36% e të rikthyerve thonë se të ardhurat mesatare të familjeve të tyre variojnë mes 10.100-25.000 lekë në muaj.