Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se Turqia dëshiron ta rrisë në 50 miliardë dollarë vëllimin tregtar me Gjermaninë.

“Shpresoj se puna e suksesshme që patëm me zonjën Merkel të vazhdojë në të njëjtën mënyrë gjatë mandatit të qeverisë së re gjermane”, tha Erdogan në konferencë shtypi pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Pallatin Huber në Stamboll.

Ai vuri në dukje se diskutuan në detaje çështjet aktuale në rendin e ditës, veçanërisht marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Gjermanisë.

“Komuniteti turk në Gjermani është aspekti më i rëndësishëm shoqëror i marrëdhënieve tona, ata përfaqësojnë pasurinë tonë të përbashkët”, tha presidenti turk.

Ai shtoi se beson se Merkel do të vazhdojë të kontribuojë në periudhën e ardhshme me qëllim forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Unë jam i bindur se kancelarja Merkel do të vazhdojë të japë një kontribut të rëndësishëm në miqësinë turko-gjermane në të ardhmen”, tha Erdogan.

Ai gjithashtu preku problemet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen anëtarët e komunitetit turk në Evropë.

“Racizmi, Islamofobia, ksenofobia dhe diskriminimi, për fat të keq, mbeten problemet kryesore të komunitetit turk në Evropë”, deklaroi ai.

“Kur bëhet fjalë për refugjatët, Turqia është bërë pothuajse si një shtëpi pritjeje”, tha Erdogan.

Nga ana tjetër, Merkel u shpreh se Bashkimi Evropian do ta vazhdojë mbështetjen për Turqinë në lidhje me migracionin ilegal.

“Çdo herë kemi interesa të përbashkëta. Kështu do të veprojë edhe qeveria e ardhshme federale e Gjermanisë”, tha më tej liderja gjermane.