Vaksina e kompanisë Moderna u bë të premten e dyta vaksinë që merr miratim për përdorim emergjent kundër koronavirusit nga Administrata Amerikane për Ushqimet dhe Barnat. Lajmi i shumëpritur ofron shpresë përballë një pandemie që ka lënë deri tani mbi 307,000 të vdekur në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet federale njoftuan autorizimin të njëjtën ditë që një komision këshillimor me ekspertë të jashtëm shprehu mbështetjen e tij për vaksinën e Modernas. Administrata për Ushqimin dhe Barnat dha autorizimin për vaksinën që mbështetet në teknologjinë RNA, e realizuar më pak se një vit nga identifikimi i patogjenit që shkakton COVID-19.

 

Moderna po punon me qeverinë amerikane për të përgatitur shpërndarjen e 5.9 milionë dozave duke filluar që këtë fundjavë.

Vendimi i entit rregullator bazohet në rezultatet një studimi me 30,000 vullnetarë që tregoi se vaksina është thuajse 95% e suksesshme në parandalimin e sëmundjes pa shkaktuar probleme anësore serioze. Vendimi pason autorizimin për vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech që ka filluar tashmë të shpërndahet, ndërkohë që janë vaksinuar një numër punonjësish të shëndetësisë në shkallë vendi.

Vaksina e Modernas pritet të përdoret në zona më të largëta, si në spitale rurale, ku është më e vështirë të dërgohet vaksina e Pfizer/BioNTech-ut që kërkon të ruhet në temperature tepër të ulëta.

Moderna tha se do t’i ofrojë afro 20 milionë doza qeverisë federale brenda këtij viti dhe do të prodhojë edhe 100-125 milionë doza të tjera brenda 3-mujorit të parë të 2021, rreth 85-100 milionë prej tyre për Shtetet e Bashkuara. /VOA