Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Ardian Ylli, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në ligjin, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 182, datë 18.07.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Ardian Ylli.