TIRANË, 5 maj/ATSH-A. Fortuzi/-Virusi nuk është zhdukur. Me lehtësimin e masave shtrënguese, duhet të jemi më të përgjegjshëm për sjelljet individuale, që të mos hedhim poshtë sakrificën e deritanishme.
Ishin këto fjalët që përcolli në videomesazhin e saj drejtuesja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, për qytetarët. Gjithashtu ajo kërkoj nga qytetarët të tregohen të kujdesshëm, gjatë lehtësimit të masave kundër koronavirusit, pasi virusi vazhdon të jetë mes nesh.
Bino në videomesazhin e publikuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të jenë të ndërgjegjësuar për rëndësinë e zbatimit të masave për të kaluar edhe këtë fazë të dytë të koronavirusit, ashtu siç ndodhi në fazën e parë.
“Kam një mesazh për të gjithë qytetarët, pasi jemi në fazën e hapjes, lëvizjes, dhe të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm. Virusi nuk është zhdukur as nga Shqipëria, as nga Europa dhe as nga bota. Virusi është dhe qarkullon dhe kjo është një arsye për të cilën ne duhet të jemi të kujdesshëm”,- tha Bino.
“Duhet të jemi të kujdesshëm se pavarësisht se dalim, të jemi të përgjegjshëm për sjelljen tonë, pasi sjellja jonë individuale është shumë e rëndësishme për këtë fazë. Faza që kalojë na ndihmoj të ulnim kurbën e sëmundjes, na ndihmoj të mos kishim një ritëm të lartë të sëmundjes, na ndihmoj të mos kishim ritmin e lartë të përhapjes së sëmundjes, por aktualisht duhet të jemi të përgjegjshëm dhe gjithë atë muajt e sakrificës ti kemi në favorin tonë”,- shtoi Bino.
“Dhe që ta kemi në favorinë tonë, janë sjelljet e qytetarëve që duhet të jenë sa më të përgjegjshme, të mos përqafohen, të mos shtrëngojnë duart, pra të ruajnë njëlloj distance mes tyre për faktin se virusi mund të transmetohet gjatë përqafimeve, gjatë prekjes së duarve, gjatë prekjes së objekteve “,- tha Bino.
“Ruajtja e distancës dhe masave të higjienës, mbajtja e maskës në mjedise të grumbulluara si supermarket apo dyqane të vogla, apo dhe markete të vogla, apo dyqane të vogla, ku ka më shumë se dy veta, na ndihmon të ruajmë veten dhe personat e tjerë që mund të kalojnë forma të rënda të sëmundjes, që i pamë gjatë kësaj kohe dhe ishin të qarta gjatë këtij shpërthimi epidemik në vendin tonë dhe të mos ngarkojmë spitalet. Të gjitha këto na ndihmojnë të ruajmë veten, njerëzit, familjarët tonë dhe popullatën”,- përfundoi Bino mesazhin e saj. /a.a/