ATSH – I. Vata/ Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxha, ka bërë me dije se ditën e sotme është bërë shpërndarja e fletëve të votimit në shumicën e qarqeve në vend, ndërkohë që procesi pritet të finalizohet nesër, ku do të bëhet dhe shpërndarja e fletëve të votimit në qarqet e mbetura që janë Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Lezha.

Hoxha tha  nga Lundra ku po bëhet gati baza zgjedhore për zgjedhjet e 25 Prillit, se ky proces ka filluar edhe përpara mbërritjes së fletëve të votimit në vend.

“Shpërndarja e bazës zgjedhore ka nisur me dhomat e fshehta të votimit, materialet e planit të masave antikovid dhe posterat që do të afishohen pranë qendrave të votimit për të orientuar qytetarët si do të votohet”, theksoi ajo.

“Sot është bërë transportimi i fletëve të votimit në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Fierit, Dibrës, Kukësit dhe Beratit. Nesër do të bëhet transportimi i fletëve të votimit edhe për qarqet e Tiranës, Lezhës, Durrësit dhe Elbasanit”, tha Hoxha. /j.p/