ATSH/ Zonat e mbrojtura në Shqipëri janë kthyer në të preferuarat e turistëve vendas dhe të huaj, pasi vendi ynë ka një turizëm gjithëvjetor.
Shqipëria renditet vendi i parë në rajon sa i takon sipërfaqes së zonave të mbrojtura. Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë 21% të territorit, ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 5 metra katrorë është zonë e mbrojtur.
Kryeministri Edi Rama iu drejtua ndjekësve në “Instagram” me pyetjen se me sa hektarë është rritur sipërfaqja e zonave të mbrojtura, me 14 mijë ha apo 140 mijë ha.
“140 mijë hektarë është sipërfaqja e shtuar e zonave të mbrojtura duke e rritur në 600 mijë ha dhe duke mbuluar 21 % të territorit, shifra më e lartë në rajon”, deklaroi Rama.
Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ato ofrojnë. Ato ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë, ku pjesën më të madhe e zënë parqet kombëtare. /a.a/