ATSH/ Në kuadër të projektit “100 fshatrat” bashkia e Korçës po vijon punën për të promovuar Drenovën, pas punës që është bërë për rehabilitimin e rrugës së Parkut Kombëtar “Bredhi i Drenovës”. Ky projekt i rëndësishëm po vazhdon me pikën e hedhjes me parashutë, markimin e shtigjeve për të shëtitur si dhe me hapësirat për piknik.
Bashkia Korçë bën të ditur se, ndërkohë puna po vazhdon brenda fshatit Drenovë.
Pas asfaltimit të disa prej rrugëve, kanalizimit të ujërave të zeza, puna po vijon me shtrimin me kalldrëm të një pjese rrugësh të brendshme.
Investimet në këtë fshat do të jenë një prej prioriteteve të bashkisë Korçë, për ta shndërruar atë në një destinacion turistik.

Parku kombëtar “Bredhi i Drenovës” konsiderohet një nga parqet më të bukura natyrore në Shqipëri që vizitohet në të gjitha stinët nga turistë dhe kryesisht të huaj.

Parku kombëtar “Bredhi i Drenovës” ndodhet në qarkun e Korçës dhe në rrethin e Korçës. Sipërfaqja aktuale është 1380 ha. Ai merr rëndësi të veçantë në shkëmbimin e elementëve faunistikë dhe floristikë të vendit tonë me ato të Greqisë. /j.p/