Aleksios Idrizi, djaloshi me origjinë nga fshati Drizë i bashkisë Belsh, është një nga futbollistët më të talentuar të kampionatit të superligës suedeze për 13 vjeçarët.

Aktualisht 13 vjeçari është pjesë e ekipeve zinxhirë të “AIK Stokholm”, një prej Klubeve më të njohura të futbollit në Suedi, nga i cili kanë dalë emra të njohur të futbollit vendas Aleksios luan si mesfushor dhe si sulmues i djathtë dhe është një nga shënuesit më të mirë jo vetëm për ekipin e tij, por edhe goleadori i kësaj dekade për ekipet e futbollit të 13 vjeçarëve.

Specialistët suedezë të futbollit që vëzhgojnë futbollistët e kësaj moshe e kanë cilësuar Aleksios Idrizin një talent të lindur me aftësi të jashtëzakonshme në përdorimin e topit dhe në gjetjen e rrugës së rrjetës. Për Aleksin Barcelona, Milani dhe Kombëtarja e Shqipërisë janë një ëndërr që ai dëshiron ta kthejë në realitet pas disa vitesh. Aleksios Idrizi studion e shkëlqen në shkollë dhe stërvitet si askush nga bashkëmoshatarët e tij.

Me punë e përkushtim të jashtëzakonshëm ai beson se do arrijë të jetë i suksesshëm dhe se ëmdrrat që ai ka nuk do mbeten thjesht ëndrra, por do vijë koha që ato do ti kthejë në vepra. Ekipi i 13 vjeçarit është kampion në fuqi dhe kryesues i vetëm i kampionatit të superligës suedeze për 13 vjeçarët, i cili është një ekip plot me talente. Idrizi është goleador i kampionatit të moshave për të dytin vit rradhazi dhe një shënues i përhershëm.

Në disa ndeshje ai ka arritur të shënojë edhe nga 3-4 gola dhe ajo që e veçon nga të tjerët është krahas disiplinës dhe korrektësisë edhe solidariteti që me futbollistët e tjerë të ekipit gjatë lojës. Në rritjen e cilësisë profesionale të tij një ndikim të madh ka luajtur edhe Sali Shala një emër i njohur i fushës së trajningut për grupmoshat në Stokholm i cili drejton ekipin shqiptar, “FC Iliria-Stokholm” që është kampion i Ligës së 5-stë nga 8-të që ka kampionati suedez i moshave.

Edhe pse ndoshta është herët që të flitet me kaq shumë superlativa për një talent kaq të vogël, nuk ka asnjë arsye përse të mos besojmë që ai dhe plot fëmijë emigratësh shqiptarë anembanë botës të bëhen yje të futbollit europian.

Elbasaninews.tv