ATSH – I. Vata/ 14 studentë shqiptarë, fitues të programit të financuar nga BE-ja Erasmus Mundus Joint Master Degrees Scholarship, janë gati të fillojnë vitin e ri akademik në disa prej universiteteve më të mira evropiane.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca tha sot se gjatë ceremonisë së para nisjes të mbajtur online, studentët shprehën entuziazmin e tyre për këtë përvojë të re të cilës mezi presin t’i bashkohen.

“Ndërsa fitoni njohuri të reja dhe aftësi të reja, ju gjithashtu do të krijoni miqësi të reja dhe rrjete miqsh dhe kolegësh të ardhshëm në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Përveç kësaj, ju do të ndani shumë informacione për vendin tuaj të bukur! Do të jeni Ambasadorët e Shqipërisë në Evropë dhe do të ktheheni si Ambasadorë të Evropës në Shqipëri. Energjia juaj, entuziazmi me të cilin i afroheni të ardhmes suaj do të udhëheqin rrugën tuaj dhe gjithashtu rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE”, tha ambasadori Soreca gjatë fjalës përshëndetëse. /j.p/