ATSH-AFP/ – Më shumë se 30 milionë raste me COVID-19 janë regjistruar në botë me një nivel transmetimi alarmant në Europë, ku masa të reja shëndetësore të ashpra priten duke nisur nga e premtja në Britaninë e Madhe dhe në Spanjë.
Në Izrael, një kufizim i përgjithshëm i vendit hyri në fuqi për tre javë. Një manifestim kundër këtyre masave, të njoftuara javën e kaluar nga kryeministri, Benjamin Netanyahu, mblodhi rreth 400 persona në Tel Aviv.
Vend me nëntë milionë banorë, Izraeli ka regjistruar 1 163 të vdekur nga koronavirusi. Dhe shteti hebre është vendi që ka regjistruar nivelin më të lartë të kontaminimit këto dy javët e fundit.
Më shumë se 30 milionë raste me COVID-19, prej të cilëve më shumë se 943 000 të vdekur, janë regjistruar zyrtarisht në botë, sipas të dhënave zyrtare.
Me 197 589, SHBA-ja është shumë larg vendeve më të prekura nga pandemia, para Brazilit me 134 935 të vdekur dhe Indisë me 83 198 të vdekur.
Këto tre vende grupojnë më shumë se gjysmën e të sëmurëve të regjistruar në botë.
Në Europë, ku numri i rasteve me COVID-19 është tashmë shumë i lartë se ai i regjistruar në mars dhe në prill, niveli i transmetimit është gjykuar alarmant nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe ka detyruar autoritetet e disa vendeve të shtrëngojnë rripin.
“E vetmja mënyrë për të siguruar që vendi të mund të festojë Krishtlindjet është të jesh i ashpër tani”, theksoi kryeministri Britanik Boris Johnson në një intervistë me tabloidin” The Sun”.
Sot, kufizime të reja hyjnë në fuqi në disa zona në veri-lindje të Anglisë ku jetojnë rreth dy milion persona. Do të ndalohet grumbullimi mes familjeve të ndryshme, vetëm një shërbim në tryezë do të lejohet në pub-et dhe vendet e argëtimit do të mbyllen mes orës 10:00 dhe 05:00.
Në të gjithë Anglinë, tashmë është e ndaluar grumbullimi prej më shumë se gjashtë persona, përfshirë fëmijët.
Në Spanjë, tjetër vend shumë i prekur nga COVID-19 me më shumë se 34 000 të vdekur, autoritetet e rajonit të Madridit kanë pranuar se po përballen me një rishfaqje galopante të pandemisë.
Këto javët e fundit, ky rajon me 6,6 milionë banorë ka regjistruar një të tretën e rasteve të reja dhe vdekjeve të regjistruara në Spanjë.
“Duhet të bëjmë gjithçka që të mundemi të kontrollojmë situatën në Madrid, ku kemi ndoshta problemin më të rëndësishëm në vend”, theksoi ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa.
Numri i të sëmurëve është rritur në rrethet dhe qytetet më modeste në jug të kryeqytetit, ku ka më shumë se 1 000 raste të reja për 100 000 banorë në dy javët e fundit. Një incidencë shumë më e lartë se mesatarja kombëtare (285) e cila tashmë është një nga më të lartat në Europë.
Përballë këtij përkeqësimi, autoritetet rajonale njoftuan sot kufizime të reja që do të hyjnë në fuqi duke nisur nga dita e shtunë apo e hënë.
Qëllimi i këtyre masave do të jetë kufizimi i lëvizjeve dhe reduktimi i aktiviteteve në zonat më të prekura”, theksoi zyrtaro rajonal i Shëndetit Publik, Antonio Ruiz Escudero.
Në Francë gjithahstu, ministri i Shëndetësisë njoftoi se kufizime të reja, si mbyllja e mundur e bareve apo ndalimi i grumbullimeve publike do të vendoset në qytetet e mëdha të vendit, si Marsejë, Lion dhe Nice./ /ec/