ATSH/ Gjergji Koja, ekspert i shëndetit publik, e cilësoi sot vaksinimin falas të grupeve të riskut, si një zhvillim me impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin publik.

“Është një zhvillim shumë interesant, shumë pozitiv sa i përket vaksinimit, ku qeveria shqiptare për herë të parë ka mundësuar blerjen dhe shpërndarjen falas tek grupet e riskut të rreth 400 mijë dozave. Një vit më parë ka qenë 80 mijë”, u shpreh Koja.

“Janë vaksina që do të shpërndahen falas. Ka filluar fushata e vaksinimit që dje me grupet e riskut. S’ka ndodhur ndonjëherë as koha kur ka filluar fushata e vaksinimit kaq shpejt, pasi natyrisht pandemia e COVID na diktoi të marrim masa para kohe, që të bëjmë diagnozën e mundshme diferenciale, për moslejimin e mbivendosjes së dy patologjive, që do të ishin fatale për shëndetin e popullatës, e COVID-it dhe gripit”, tha Koja.

“Këto doza vaksinash, theksoi Koja, do të shpërndahen për grupet në risk, për personelin shëndetësor, arsimtarët, edukatorët, për fëmijët 2-5 vjeç, duke vazhduar dhe me të moshuarit. Sigurisht nuk janë të përjashtuara grupmoshat e tjera, por këto janë grupet me risk të popullatës dhe profesionet që e përfitojnë falas vaksinën”, theksoi Koja.

Koja u shpreh se vaksina është sigurt, sepse është e regjistruar dhe certifikuar nga OBSH.

Kështu tha ai, “jo vetëm që rrëzohen teoritë e konspiracionit, por fashiten edhe shpresat e atyre që kërkojnë të bëjnë vota qoftë me vaksinat, qoftë me COVID”.

“Është e sigurt, është vaksinë e cila është prodhuar në Korenë e Jugut dhe është certifikuar nga OBSH. Për këtë aryse nuk ka asnjë lloj rreziku. Këto grupe risku janë të ftuar për të kryer këtë vaksinë falas”, u shpreh eksperti Koja.

“Është një program kombëtar vaksinimi për vaksinën e gripit që nuk ka shumë kohë që ka nisur. Fillimin e saj e ka para 5 vitesh, 2014-2015, por me doza shumë të vogla. Në 2019 ishin rreth 80 mijë doza. Sot janë rreth 400 mijë doza”, tha Koja.

/gj.mima/j.p/r.e/