Covid-19 është kthyer në një shqetësim edhe për futbollin. Pas rastit të parë të konfirmuar para disa javësh me futbollistin e Bylisit, Edison Qardaku, të tjerë futbollistë kanë rezultuar pozitivë me këtë sëmundje. Bëhet fjalë për lojtarë të ekipit të Partizanit, plot pesë prej tyre, të cilët do të jenë edhe mungesa të sigurta në derbin e sotëm midis të kuqve dhe bardhebluve. Fillimisht u konstatuan pozitivë rumuni Deian Boldor, i cili mësohet se e ka marrë nga e motra e tij që banon me të.

Së bashku me mbrojtësin rumun rezultoi pozitiv edhe futbollisti tjetër i të kuqve, Ferati, fatmirësisht të dy pa simptoma të rënda dhe të vetëkarantinuar në banesën e tyre. Pas konfirmimit të këtyre dy rasteve në klubin e Partizanit u kryen teste për të gjithë ekipin dhe për fat të keq rezutuan pozitivë edhe tre të tjerë, pikërisht Çinari, Kote dhe Mala, të cilët mendohet se e kanë marrë virusin nga kontaktet me dy lojtarët e tjerë të dalë pozitivë më herët.

Megjithatë, derbi i sotëm midis Partizanit dhe Tiranës nuk do të shtyhet, por do të luhet, edhe pse me mungesa të shumta në kampin e kuq. Gjithsesi, duket se këto raste pozitivë me Covid-19 e kanë rënduar psikologjikisht situatën në klubin e kuq, pasi raportohet se ka pasur një sherr midis lojtarëve me Covid, teksa Çinari i ka kërkuar llogari Boldorit për virusin, madje duke i shkuar në banesë dhe u përplasur fizikisht me të.

Shpresohet vetëm që të mos ketë raste të tjera pozitivë me Covid në radhët e futbollistëve, sepse mund të shkohet edhe në skenarin më të keq të mundshëm, atë të mbylljes së kampionatit, edhe pse për momentin kjo gjë nuk po mendohet, edhe për shkak se rastet e konfirmuara deri më tani kanë qenë të izoluara.