TIRANË, 22 qersho/ATSH/ Shpresa, Arjani, Rexhepi dhe Shkëlqimi janë vetëm disa nga 65,153 të vetëpunësuarit në vend, që përfituan të parët pagën e luftës, sikurse çdo punonjës i bizneseve të vogla që mbyllën aktivitetin e tyre, si pasojë e COVID-19.

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj e vijoi sot turin e dëgjesave me të vetëpunësuarit dhe biznesin e vogël në Petrelë e Zall-Herr.

Ibrahimaj theksoi se qeveria mbështeti biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë me pagat e luftës direkt pasi u vendos mbyllja e aktiviteteve.

“E ndryshuam filozofinë tonë të punës, pasi jemi mësuar të mbledhim të ardhura, por në fakt këtë radhë në shpërndamë ndihmë financiare për rreth çerek milioni punonjës”, tha Ibrahimaj.

Për pjesën më të madhe të biznesit të vogël tashmë ka vijuar edhe shpërndarja e pagës së tretë të luftës.

Përfaqësues të biznesit u shprehën se kanë rifilluar aktivitetin e tyre dhe pjesa më e madhe e klientëve u ka qëndruar besnik duke bashkëpunuar sërish.

Rexhep Karaj, përfaqësuesi i një biznesi mobilerie në Zall Herr, i cili produktet e tij i eksporton në Itali u shpreh se ai së bashku me djalin, nusen dhe punëtorët e tjerë e kanë përfituar bonusin prej 40 mijë lekësh.

Biznesi po ashtu ka përfituar edhe nga marrëveshja e Qeverisë me bankat për shtyrjen e afatit të kësteve të kredisë për një periudhë 6 mujore dhe riskedulimin e kësteve në kohë./

ATSH