Stand-up komedia “O sa mir me qen shqiptar!”, e shkruar dhe interpretuar nga aktori i njohur Edi Oga, solli në skenën e Teatri Skampa një mbrëmje të veçantë për publikun elbasanas, plot energji, humor të hollë dhe batuta origjinale që rrallëherë të lënë pa buzëqeshje.

Salla ishte e mbushur me artdashës të të gjitha moshave, të cilët reaguan me duartrokitje dhe të qeshura të vazhdueshme përgjatë gjithë shfaqjes. Me një stil të drejtpërdrejtë, spontan dhe autentik, Edi Oga ndërtoi një pasqyrë satirike të jetës së përditshme shqiptare, duke prekur me finesë sjelljet tona, zakonet, paradokset dhe mënyrën karakteristike të të menduarit.

Përmes situatave të njohura për këdo – nga marrëdhëniet familjare, mentaliteti tradicional, emigracioni, administrata apo dinamika e jetës moderne – ai arriti të krijojë një lidhje të menjëhershme me publikun. E qeshura dhe reflektimi ecën krah për krah, duke e bërë shfaqjen jo vetëm argëtuese, por edhe domethënëse.

Shfaqja nuk ishte thjesht një seri batutash, por një udhëtim i këndshëm në realitetin tonë të përditshëm, ku secili gjeti pak nga vetja, familja apo shoqëria. Përmes satirës inteligjente, aktori arriti të trajtojë tema sociale me një lehtësi që vetëm arti i stand-up komedisë mund ta ofrojë.

Mbrëmja në Teatrin “Skampa” konfirmoi edhe një herë se ky zhanër po fiton gjithnjë e më shumë terren në skenat shqiptare, ndërsa publiku elbasanas dëshmoi se e mirëpret humorin cilësor dhe performancat live.

Një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë nga artdashësit e qytetit, duke lënë pas jo vetëm të qeshura, por edhe mendim kritik përmes artit.

Edlira Xherri