Kullat shekullore përbëjnë një nga simbolet më të forta të identitetit historik dhe kulturor të Mirditës.

Të ndërtuara kryesisht prej guri, me arkitekturë karakteristike dhe funksion mbrojtës, ato dëshmojnë për mënyrën e jetesës, organizimin shoqëror dhe traditat e hershme të zonës. Përtej vlerës arkitekturore, kullat mbartin kujtesën kolektive të komunitetit dhe janë pjesë e trashëgimisë shpirtërore të krahinës.

Shumë prej tyre, të ndërtuara masivisht që prej shekullit të 16-të, kanë shërbyer si banesa familjare, por edhe si struktura vetëmbrojtëse në periudha të vështira historike.  Sot, ato përfaqësojnë jo vetëm një pasuri kulturore, por edhe një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor dhe ekonomik të zonës.

Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në Bashkinë Mirditë po punon për identifikimin dhe dokumentimin e këtyre kullave, sidomos atyre që ndodhen në gjendje të amortizuar dhe kanë nevojë për restaurim.

Përmes këtij programi, synohet jo vetëm restaurimi fizik i objekteve, por rikthimi i tyre në qendra të gjalla të aktivitetit social, kulturor dhe turistik.  Të dhënat e mbledhura në këtë fazë do të shërbejnë për hartimin e një programi të integruar që do të mbrojë, promovojë dhe rijetëzojë kullat si një aset të çmuar të trashëgimisë kombëtare

Top Channel