Elbasani po hyn në pragun e festës që e identifikon prej shekujsh, “Dita e Verës”, duke u shndërruar sërish në qendrën më të madhe të festimeve në vend. Më 13, 14 dhe 15 mars, qyteti do të jetojë tre ditë e tre netë plot muzikë, ngjyra dhe emocion.
Skena madhështore e Sheshit “Gensher” do të presë disa nga zërat më të dashur të publikut shqiptar: Eranda Libohova, Eneda Tarifa dhe Era Rusi. Me repertorin e tyre të pasur dhe energjinë që i karakterizon, ato pritet ta kthejnë Elbasanin në një skenë të hapur feste, ku çdo mbrëmje do të jetë një spektakël më vete.
Përgatitjet kanë nisur prej kohësh, ndërsa organizimi po realizohet me standarde të larta profesionale. Në koordinimin dhe mikpritjen e artistëve është angazhuar edhe Gentian Myftaraj, duke garantuar një event dinjitoz dhe gjithëpërfshirës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ka pritur artistët në një takim të veçantë, ku i ftoi zyrtarisht të bëhen pjesë e festimeve dhe të sjellin në qytet atmosferën që vetëm muzika e mirë di të krijojë.
Por Dita e Verës nuk është vetëm koncert. Është aroma e ballokumeve, sheshet plot me jetë, panairet tradicionale, fëmijët me lule në duar dhe qyteti që vishet me ngjyrat e pranverës. Është momenti kur Elbasani hap zemrën për të gjithë.
Sepse në Ditën e Verës, zemra e Shqipërisë rreh në Elbasan.
Edlira XHERRI



























