ATSH/ Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës zhvilloi sot në Korçë takimin e 4-t të Komitetit të Përbashkët të Monitorimit për Programin IPA CBC 2021–2027 midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet partnere, Delegacioni i BE-së dhe aktorë kyç të bashkëpunimit ndërkufitar.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e programit, u prezantua dhe u miratua Raporti Vjetor i Zbatimit (AIR) për vitin 2025 dhe Plani Vjetor i Punës (AWP) për zhvillimin e aktiviteteve të reja përgjatë 2026, si dhe u hodhën hapat e parë për përgatitjen e konceptit të thirrjes së dytë për projektpropozime.

Ky takim shërben si një moment i rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke çuar përpara nisma që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit ndërkufitar, zbut impaktin e disbalancës socio-ekonomike, si dhe kontribuon në marrëdhënien e fqinjësisë së mirë.

Gjithashtu takimi krijoi mundësi për projekte që sjellin zhvillim si dhe mbështetje për një të ardhme më të qëndrueshme.

/k.s/j.p/r.e/