Edlira Xherri
Një projekt i ri me fokus mjedisin ka marrë jetë në qytetin e Elbasanit. Nisma “Green Schoolyards” ka nisur zbatimin në shkollën “Sul Harri”, si një hap i parë drejt shtrirjes së saj edhe në institucione të tjera arsimore në qytet.
Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm dhe synon të forcojë edukimin mjedisor tek nxënësit, duke i ndërgjegjësuar ata për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës që në moshë të hershme. Përmes aktiviteteve dhe ndërhyrjeve konkrete në ambientet e shkollave, kjo nismë synon të krijojë hapësira më të gjelbra dhe më miqësore për komunitetin shkollor.
Përfaqësues të Bashkisë Elbasan theksojnë se qëllimi kryesor është formimi i një brezi më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit, duke e kthyer shkollën jo vetëm në një vend mësimi, por edhe në një model edukimi për të ardhmen.
Investimi në edukimin e fëmijëve për natyrën konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një Elbasani më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.



























